
Muslija në verë do të largohet nga Freiburgu
Florent Muslija mund të largohet nga SC Freiburg gjatë afatit kalimtar të verës.
“Sky Sport Germany” raporton se një largim i mesfushorit është i mundshëm, pasi aventura e tij te klubi gjerman nuk ka dhënë rezultatet e pritura, as për lojtarin dhe as për klubin. Muslija iu bashkua Freiburgut në janar të vitit 2024, duke ardhur nga SC Paderborn, ku pati një formë të shkëlqyer në Bundesliga 2.
Megjithatë, te skuadra e Bundesligës, ai nuk arriti të përshtatej në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht mundësive të dhëna si nga trajneri i atëhershëm Christian Streich, ashtu edhe nga pasardhësi i tij, Julian Schuster. Që nga paraqitja e tij e fundit më 3 dhjetor në një ndeshje të Kupës së Gjermanisë, Muslija nuk është aktivizuar më.
Në Bundesligë, 26-vjeçari ka bërë vetëm nëntë paraqitje, të gjitha si zëvendësues dhe nuk ka regjistruar asnjë gol apo asistim. Megjithëse ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, lojtari me prejardhje nga Kosova shihet si një prej futbollistëve që mund të largohet në verë, dhe Freiburg nuk pritet të bëjë pengesa për shitjen e tij.