Musliu kërkon shkarkimin e Dimal Bashës pas deklaratës për Astrit Deharin

05 nëntor 2025 | 18:02

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili kishte thënë se “rasti i Astrit Deharit është më i rëndë se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin”.

Përmes një postimi në facebook, Musliu e ka quajtur këtë deklaratë skandaloze, fyese dhe të papranueshme për çdo qytetar të Kosovës që ka përjetuar vuajtjet e luftës, shkruan IndeksOnline.

“Të krahasosh një rast tragjik individual me terrorin shtetëror, masakrat, dhunimet dhe dëbimet që Serbia e Millosheviqi ushtruan mbi mijëra shqiptarë, është një fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave”, ka shkruar Musliu.

Deputetja e PDK-së ka shtuar se një kryetar Kuvendi që bën deklarata të tilla “ose nuk e kupton peshën e fjalës publike, ose e përdor qëllimisht për të ndezur emocione dhe për të mbuluar paaftësinë politike”.

Ajo e ka cilësuar këtë deklaratë si vazhdimësi të punimit shkencor kundër UÇK-së nga Basha, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij nga pozita.

Postimi i plotë:

Në vazhden e fushatës zgjedhore ringjallën kauzat e rreme.

Deklarata e Dimal Bashës, sipas së cilës “rasti i Astrit Deharit është më keq se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin”, është skandaloze, fyese dhe thellësisht e papranueshme për çdo qytetar që e njeh historinë e vuajtjeve të popullit tonë.

Ta krahasosh një rast tragjik individual për të cilin drejtësia duhet të flasë me prova e përgjegjësi konkrete me terrorin shtetëror, masakrat, dhunimet, helmimet, dëbimet dhe gjenocidin që Serbia e Millosheviqit ushtroi mbi qindra mijëra shqiptarë, është një fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave dhe ndaj gjithë popullit të Kosovës.

Një kryetar Kuvendi që bën deklarata të tilla, ose nuk e kupton peshën e fjalës publike, ose e përdor qëllimisht për të ndezur emocione e për të mbuluar paaftësinë politike.

Në të dy rastet, është e papranueshme që një figurë në krye të institucionit më të lartë përfaqësues të flasë me kaq papërgjegjësi.

Kjo deklaratë është vazhdimësi e të “famshmit” punimit shkëncor kundër UÇK-së nga Dimali.

Prandaj, si shoqëri, duhet të kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të këtij njeriu të papërgjegjshëm. Kosova ka përjetuar mjaft dhimbje për të lejuar që politikanë që luajnë me ndjenjat e qytetarëve ta banalizojnë historinë dhe sakrificën e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
EUROLIND ZEKAJ, shpall te pavleshme deftesen e shkolles fillore “AHMET…