
Musliu: Vjosa Osmani mbetet notere e Albin Kurtit, pa guxim politik
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka komentuar vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo kërkesë kishte të bënte me interpretimin e mundshëm të situatës në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik, afat i përcaktuar më herët nga Gjykata përmes një aktgjykimi.
Musliu theksoi se nuk dëshiron të japë interpretim ligjor për situatën, por u shpreh në mënyrë kritike për rolin dhe veprimet politike të Osmanit.
“Vjosa Osmani mbetet brenda kufijve të karakterit dhe zhvillimit të saj politik. Një analizë retrospektive e karrierës së saj politike nuk zbulon asnjë rast të vetëm të kontributit të saj konstruktiv në stabilizimin e sistemit tonë politik. Edhe këtë herë, nuk pritej asgjë më shumë nga Vjosa Osmani”, ka thënë Musliu në një prononcim për IndeksOnline.
Ajo kritikoi mungesën e asaj që e quajti kontribut konstruktiv të Osmanit në stabilitetin politik.
“Një analizë e mirëfilltë e deklaratave të saj të fundit zbulon se ajo është një presidente që: Që akuzon një person për rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare, kundër të cilit nuk janë marrë masa ndëshkuese. Që përpiqet të arsyetoj vetën për mos marrjen e masave ndëshkuese kundër personit që përbën kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, që përpiqet të mbulojë mungesën e profesionalizmit të saj në çështjet kushtetuese. Që vërteton se ajo është ende notere e Albin Kurtit, pa qëndrim dhe pa guxim politik.”, ka theksuar Musliu.
Musliu komentoi edhe deklaratat e Osmanit, sa i përket zhvillimeve në Gjykatën Speciale, duke e akuzuar atë për hipokrizi politike.
“Vjosa Osmani duket se ka harruar se gjatë gjithë karrierës së saj, ajo ka bërë të njëjtat akuza kundër ish-Presidentit Thaçi dhe të tjerëve që tani po përballen me një gjyq të kontaminuar politikisht dhe ligjërisht. Një deklaratë patetike nga Vjosa Osmani nuk i justifikon veprimet e saj për më shumë se një dekadë. Me gjithë respektin e duhur, akuzat që po dëgjojmë në Hagë janë të njëjtat që Vjosa Osmani ka bërë gjatë gjithë karrierës së saj në parlament dhe në studiot televizive. Ky është një fakt që e zeron besueshmërinë e saj”, theksoi ajo.
Tutje, Musliu konsideron se deklarata e Presidentes për një gjyqtar që rrezikon sigurinë kombëtare kërkon hetim nga autoritetet përkatëse.
“Si përfundim, deklarata e Vjosa Osmanit për gjyqtarin që rrezikon sigurinë tonë kombëtare duhet të hetohet nga autoritetet përkatëse, sikurse duhen hetuar shkaqet e heshtjes së pushtet mbajtësve ndaj këtij rreziku”.
Sipas Musliut, Presidentja nuk po del nga roli i saj si përfaqësuese politike e Vetëvendosjes.
“Qëndrimet e saj mbi përbërjen e kuvendit mbeten brenda fushëveprimit të detyrave të saj si notere e VV-së, ndërsa shqetësimi i saj për pranimin e dokumenteve serbe nga Gjykata Speciale dëshmon për hipokrizinë e saj ekstreme”.