Musolli: Ja pengu më i madh në këto 6 vite

13 mars 2018 | 16:31

Mesfushori Besart Musolli, është një nga futbollistët më besnik të Kukësit, ku për 6 vite radhazi ka mbajtur veshur fanellën e verilindorëve.

Ndeshja e radhës ndaj Luftëtarit, do të jetë speciale për futbollistin nga Kosova, pasi do të plotësojë kuotën e 200 ndeshjeve. Në një speciale për “Supersport”, kapiteni është shprehur: “Jam shumë i lumtur për 6 vitet te Kukësi. Shumë sakrificë, shumë momente të vështira, por më shumë momente të mira. Ka rastisur që të debutoj ndaj Luftëtarit, të festoj titullin ndaj Luftëtarit dhe kësaj here të realizoj ndeshjen numër 200”.

Shumë pranë rekordit të Rrahman Hallaçit, i cili është futbollisti që ka luajtur më shumë ndeshje më fanellën e Kukësit në Superiore…
Musolli: Nuk e di për Haliçin, kam respekt të madh, normalisht që ndjej kënaqësi kur e kaloj, por për mua ai është ikona e klubit të Kukësit. E veçanta e 200 ndeshjeve është se në këtë klub kam arritur gjithçka. Pra të gjitha çmimet që e bëjnë një futbollist të ndihet i lumtur. Një peng që na ka ngelur është përfaqësimi në grupet e Evropës.

Momentet dhe njerëzit e veçantë…
Musolli: E kujtoj fitimin e Kupës së Shqipërisë, me trajnerin Klodian Duro dhe me shumë futbollist që tani nuk janë në klubin tonë. Pastaj fitimi i titullit kampion ishte një ndjenjë shumë e veçantë, me në krye trajnerin Ernes Gjoka. Edhe fillimet kanë qenë shumë të mira.

Sekreti i qëndrimit afatgjate…
Musolli: Nuk e di sekretin, thjesht kanë kaluar mirë me presidentin, me të gjithë. Presidenti ka meritë të veçantë. Jam ndjerë vetvetja, jam ndjerë mirë.

Aktivizimi me përfaqësuesen e Kosovës…
Musolli: Kulminacioni për një futbollist është që të luajë për vendin e vet. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe që të jem pjesë e Kosovës dhe të përfaqësoj vendin tim. Futbolli është një jetë e shkurtër për çdo futbollist. Për disa vite, do tërhiqemi nga futbolli, ato që mbeten janë kujtimet. Jam i thjeshtë në jetë, mbaj regjim, punoj fort dhe kam respekt për kundërshtarin.

Ëndrra në sirtar për mesfushorin e Kukësit…
Musolli: Individualisht është që të kem performanca sa më të mira dhe jetëgjate. Ndërsa me grupin vetëm grupet e Ligës së Evropës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kazermën “Skënderbeu” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)…