Mustafa ankohet në Gjykatën Kushtetuese të Speciales kundër vendimit përfundimtar të Supremes

25 prill 2025 | 16:07

Salih Mustafa ka bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kundër vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme të 25 shkurtit 2025, e cila e ka lënë në fuqi vendimin e Apelit me ç’rast ai është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.

Duke u fokusuar në  kronologjinë e rastit, Salih Mustafa në shkallë të parë më 16 dhjetor 2022 ishte shpallur fajtor për krime lufte dhe ishte dënuar me 26 vjet burgim.

Pasi ai ka apeluar vendimin, më 14 dhjetor 2023 ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij ku konfirmoi fajësinë e tij, por e kishte reduktuar dënimin në 22 vjet burgim.

Por, më 29 korrik 2024, Supremja e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit sa i takon dënimit dhe e pati kthyer çështjen në rishqyrtim të një dënimi të ri për Mustafën.

Si rrjedhojë, për herë të dytë, Apeli më 10 shtator 2024 e kishte zbatuar standardin që ia kishte përcaktuar Gjykata Supreme për dënimin, duke e reduktuar dënimin ndaj Mustafës në 15 vjet burgim.

Më 9 dhjetor 2024, Mustafa kishte parashtruar në Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë sërish, por më 25 shkurt 2025, kjo gjykatë e kishte lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Andaj, kërkesa e Mustafës në Kushtetuese ka të bëjë me vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme.

Në ankesën e tij të dorëzuar me 24 prill 2025, Mustafa ka thënë se i janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës, e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.

Mustafa ka pretenduar se Apeli kur e ka shpallur dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë, e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e ka korrigjuar këtë gabim, por e ka refuzuar kundërshtimin e mbrojtjes.

Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.

Mbrojtja e Mustafës ka thënë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.

Sipas mbrojtjes, proprcionaliteti ka të bëjë me shkallën e dënimit dhe jo me dënimin në përgjithësi. /Betimipërdrejtësi

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inteligjenca Artificiale ka parashikuar se kush do të jetë pasardhësi…