Mustafa: Ende kam dyshime për mini-shengenin

17 shtator 2020 | 08:31

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, shprehet se ende ka disa dyshime mbi idenë e mini-schengenit që i ka shprehur dhe më herët dhe që kanë të bëjnë me krijimin e një mini-Jugosllavie dhe rritje të ndikimit rus në rajon. Mustafa thotë se, gjithashtu, ka vërejtje dhe për krijimin e një unioni doganor pasi Kosova nuk ka kufi në asnjë prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “Jo, ashtu siç shtrohej atëherë, veçmas nga Serbia, unë kam dyshuar dhe do të dyshoj edhe sot që në qoftë se rrëshqasim atje, do të kemi probleme. Mirëpo ne do të jemi të kujdesshëm. Vërejtje kryesore kam pasur tek unioni doganor që nuk na përgjigjet ne që të bëjmë një marrëveshje të unionit doganor, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për arsye të pozitës gjeografike që ka Kosova te Ballkani Perëndimor. Sepse jemi në mes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk kemi qasje me asnjë kufi të një vendi që i përket Bashkimit Evropian, prandaj edhe importi dhe eksporti, por edhe sistemi doganor do të duhej të zhvilloheshin qoftë përmes Serbisë, përmes Shqipërisë, përmes Malit të Zi, përmes Maqedonisë së Veriut e të tjera, që neve s’na përgjigjet sepse pastaj e bëjmë një kalim të sovranitetit shtetëror te këto vende”, thotë kreu i LDK-së.

“Te çështja e Minishengenit ne nuk e kemi të qartë akoma se çfarë nënkuptohet krejt me Minishengenin, çka nënkuptojmë ne si Kosovë, çka nënkupton Serbia, çka nënkupton Shqipëria, çka nënkupton Maqedonia e Veriut. Dëshiron edhe Mali i zi të aderojë këtu, e dëshiron pastaj edhe Bosnja, e të tjera”, ka shtuar më tej ish-kryeministri i Kosovës.

I pyetur nëse kanë qenë të ekzagjeruara kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, Mustafa tha në “Euronews Albania” se ato s’kanë qenë në raport me të personalisht, por me idenë e minishengenit. “Po tani nuk kemi pas, ne – as unë vetë, sepse unë vetë jam deklaruar, kam pas deklaratë mjaft eksplicite lidhur me atë. Asgjë s’kemi pas me kryeministrin Rama. Kemi pas me vetë konceptin e Minishengenit sepse kemi dashur që ky koncept të mos marrë formën e një shengeni ose minishengeni, përkatësisht të mos institucionalizohet sepse po ta institucionalizojmë atëherë duhet të organizohemi bashkarisht ose të kemi një sistem të organizimit i cili pastaj implementon këtë. Dhe vërejtjen e kemi bërë më tepër për natyrën e Minishengenit, jo se kryeministri Rama e ka përkrahur këtë dhe në fund kemi ardhur dhe jemi pajtuar edhe unë edhe kryeministri Rama se fjala është për Procesin e Berlinit dhe për atë çfarë ne jemi marrë vesh në Procesin e Berlinit”, tha ish-kryeministri i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një takim në nivel të ekspertëve do të mbahet nesër…