
Mustafa i PDK-së: Kurti sot e kapi edhe ATK-në, lufta ndaj bizneseve kaloi në nivel tjetër
Arben Mustafa nga PDK-ja, ka reaguar pas emërimit të Mentor Hysenit, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), pasi ky i fundit ishte kandidat i Vetëvendosjes për deputet.
Mustafa e ka quajtur luftë ndaj bizneseve e cila me këtë akt, sipas tij ka kaluar në një nivel tjetër.
“Lufta ndaj bizneseve sot kaloi në një nivel tjetër, nga njerëz që kanë uzurpuar institucionet shtetërore! Albin Kurti sot e ka kapur edhe ATK-në, duke emëruar ish-kandidatin për deputet të LV-së në pozitën e drejtorit. Me këtë veprim, ATK po shndërrohet në një instrument politik, që do të rrisë edhe më shumë pasigurinë e bizneseve për të operuar në Kosovë. Sikur të mos mjaftonte represioni që po ushtrohet ndaj bizneseve përmes ZRRE-së, tani qeveria ka futur në dorë edhe një instrument tjetër të fuqishëm për ta çuar luftën ndaj sektorit privat në një nivel të ri”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.