Mustafa kritikon Kurtin: Dikur fliste me zemër për padrejtësitë, sot po lejon thellimin e tyre
Ish-komandanti i UÇK-së në Llap dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa, thënë se rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike nuk është thjesht një vendim ekonomik, por një goditje në zemrën e familjeve që mezi ia dalin nga muaji në muaj.
Në këtë kontekst, Mustafa ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndalojë së rënduari jetën e qytetarëve.
“Shikoni raftet e marketeve. Shikoni faturat. Shikoni familjet që po largohen nga Kosova sepse nuk shohin më shpresë këtu. Zhvillimi nuk vjen me fjalë të bukura, por me politika që e mbrojnë qytetarin. Kryeministër, reflektoni sot jo nesër. Sepse kur njerëzit humbin shpresën, humbasin edhe besimin. Dhe kur humbet besimi, humbet edhe mbështetja”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Qeveria duhet të ndalojë së rënduari jetën e qytetarëve!
Sot qytetari i Kosovës po e ndjen çdo ditë e më shumë peshën e padrejtësisë në shpinë. Faturat po rriten, çmimet po rriten, ndërsa shpresa po zvogëlohet.
Rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike nuk është thjesht një vendim ekonomik është një goditje në zemrën e familjeve që mezi ia dalin nga muaji në muaj. Është goditje për pensionistin që numëron centët. Është goditje për prindin që mendon a t’i blejë librat e fëmijës apo ta paguajë rrymën.
Kur ishte në opozitë, kryeministri Kurti fliste me zemër për padrejtësitë. Sot, në pushtet, po i lejon ato të thellohen.
Ne që dikur u ngritëm për liri dhe sakrifikuam gjithçka për këtë vend, nuk mund të heshtim kur qytetari po varfërohet para syve tanë. Liria nuk u fitua që sot njerëzit të jetojnë me frikë nga faturat.
“Ndihmat” simbolike nuk e shërojnë plagën ato vetëm e mbulojnë për pak çaste. Sepse çfarë vlere kanë 100 euro kur çdo muaj na merren shumëfish më tepër përmes çmimeve të fryra?
Shikoni raftet e marketeve. Shikoni faturat. Shikoni familjet që po largohen nga Kosova sepse nuk shohin më shpresë këtu.
Zhvillimi nuk vjen me fjalë të bukura, por me politika që e mbrojnë qytetarin.
Kryeministër, reflektoni sot jo nesër.
Sepse kur njerëzit humbin shpresën, humbasin edhe besimin. Dhe kur humbet besimi, humbet edhe mbështetja.
Ne do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve. Ashtu si dje për lirinë, sot për dinjitetin e tyre.
Kosova meriton më shumë.



