
Mustafa mbledh kryesinë, LDK-ja cakton kandidatin për kryeministër
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që sot të vendosë për kandidatin për kryeministër.
Ky subjekt do të mblidhet sot në orën 14:00 me thirrjen e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.
Të shtunën kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se LDK-ja do të vendosë brenda dy-tre ditëve për emrin e kandidatit për kryeministër.
Edhe Agim Veliu të hënën ka treguar se shumë shpejt LDK-ja do të ketë emrin e kryeministrit.
Tre emrat që janë përfolur si të mundshëm për ta fituar besimin e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së si kandidatë për kryeministër janë: Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Kujtim Shala.
Megjithatë, as emri i Avdullah Hotit nuk përjashtohet për pozitën e shefit të ekzekutivit.
Deri tani Enver Hoxhaj i PDK-së ka zyrtarizuar kandidaturën për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje pritet që me Kurtin t’i futet kësaj gare zgjedhore.
Nisma me shumë gjasë do të garojë bashkë me PDK-në në një koalicion parazgjedhor, meqë sot Limaj ka thënë se po e presin ofertën nga Enver Hoxhaj.
Vjosa Osmani me shumë gjasë do të kandidojë bashkë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Haxhi Avdyli ka thënë se brenda kësaj jave do të sqarohet gjithçka.