Mustafa pas shkarkimit të Veliut: Vendimet e njëanshme të Kurtit çojnë në prishjen e koalicionit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se vendimi i kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike është i papranueshëm.
Ai ka thënë se veprimet e një anshme të Kurtit janë të dëmshme dhe si të tilla çojnë në prishjen e koalicionit LV-LDK.
“Qytetarë të nderuar, për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon kryetari i LDK-së.
“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/



