Mustafa: Takimi i Ohrit siguron paqen dhe stabilitetin në Ballkan

21 mars 2023 | 15:25

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për “ABC News”, ka skanuar zhvillimet në Kosovë, ku theksin kryesor e ka vënë tek takimi i së shtunës në Ohër, ku Serbia dhe Kosova janë pajtuar për aneksin e zbatimit të planit evropian për të cilin palët janë dakorduar më 27 shkurt.

Ai ka thënë se takimin e Ohrit më tepër e sheh si një sigurim paqeje dhe stabiliteti për Ballkanin, ndërsa ka shprehur rezerva në atë se çfarë ka përfituar Kosova në të vërtetë.

Ai ka thënë se pala ndërkombëtare nuk kanë premtuar diçka konkrete për Kosovën siç është anëtarësimin në OKB apo njohja e pavarësisë nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

“Unë e shoh më tepër si hap për gjetjen e një zgjidhje, që të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Pasi edhe vitin e kaluar kemi pasur probleme në veri të vendit. Kjo është më tepër sigurim paqeje dhe stabiliteti, nuk mund të them se Kosova ka përfituar diçka, sepse nuk ka premtime konkrete për Kosovën, si përshembull njohja nga 5 vendet e BE-së, dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, prandaj nuk kemi pritur diçka dhe jemi të njoftuar edhe më parë. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të përmbyllet me njohje reciproke, por ajo mund të vijë në rend dite pas një periudhe kohore, ose diku rreth vitit 2030, që është shumë larg”, ka thënë Mustafa

Ai është shprehur se Serbia edhe në të kaluarën ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, por nuk i ka zbatuar asnjëherë ato.

Ish-kryetari i LDK-së ka thënë se dy pikat e planit franko-gjerman, përkatësisht pika 7 dhe 10 janë të paqarta.

“Serbia ka nënshkruar marrëveshje në 2013, e ka nënshkruar edhe marrëveshjen në 2015, mirëpo Serbia nuk ka shkuar më larg se nënshkrimet, pra ajo nuk i ka zbatuar. Edhe kësaj here, ne nuk jemi të sigurt në implementimin e tyre. Kosova nuk ka në agjendë përfitimet, të cilat i janë ofruar se do të ndodhin me nënshkrimin për këtë marrëveshje. Tani për ne është e pasigurt, që çfarë kupton neni 7 që flet për vetëmenaxhimin, ndërkaq dokumenti bazë obligon palët që të implementojnë të gjitha marrëveshjet që janë dakordësuar deri tani. Unë mendoj që është dashur që mos të hiqet dorë nga kjo dhe besoj se Kurti e ka kërkuar. Problemi është se sjelljet e qeverisë Kurti dhe institucionet e kanë shkaktuar këtë gjendje, që ne pastaj të kushtëzohemi nga komuniteti ndërkombëtar. Asociacioni gërshetohet në dy pika: në pikën 7 si vetëmenaxhim, që për ne është e paqartë se çfarë është menduar nga ndërkombëtarët dhe nga vetë Kurti. Dhe pika 10, që detyrohen palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. Kurti nuk e ka kundërshtuar asociacioni”, është shprehur Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur një baner me figurën e…