Mustafa thotë se “Bilfinger” kishte veç fjalë për rindërtimin e “Kosovës A”

24 janar 2022 | 15:09

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar për projektin e kompanisë  gjermane “Bilfinger”, e cila në vitin 2015 ishte ofruar për rindërtimin e “Kosova A”.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo kompani kishte ofruar vetëm 15-20 faqe PowerPoint pwr ndërtimin e këtij termocentrali.

Sipas tij, kjo kompani asnjëherë nuk ka ofruar koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit të këtij projekti.

Postimi i plotë i Mustafës:

Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.

Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim.

Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e pa interesuar.  Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se në Kosovë janë…