Mustafë Veselaj, guximtar e sypatrembur

26 mars 2024 | 14:51

Kadri Veselaj

Mustafë Veselaj lindi në fshatin Reqan të Suharekës më 1966. Babai i tij, Ahmeti, ishte bujk dhe njeri mikpritës e bujar. Ai vdiq para kohe nga një sëmundje e rëndë. Nëna e tij, Zelfija, është grua e urtë dhe punëtore e madhe, e cila nuk u ankua kurrë nga vuajtjet dhe skamja. Karakteri i saj i fortë do të trashëgohej edhe te fëmijët e saj, veçmas nga Mustafa. Mustafa që në moshë të re dëgjonte histori rrëqethëse se si xhelatët serbë i kishin masakruar burrat më patriotë të fshatit. Edhe babai i Mustafës u rrahë dhe u torturua egërsisht në aksionin famëkeq të armëve, që drejtohej kundër shqiptarëve nga kriminelët Tito e Rankoviq. Mustafa do të dëgjonte edhe rrëfime tjera nga bashkëkohësit tjerë, të cilët ndiqeshin nga regjimi jugosllav, për shkak të aktivitetit patriotik. Urrejtja kundër pushtuesve jugosllavë u mboll herët në shpirtin e tij të njomë. Që në moshë të re dallohej nga shokët për guxim dhe vendosmëri. Ishte i shkathët dhe i drejtë. Kushtet në të cilat u rrit dhe u edukua e bënë të jetë i sjellshëm dhe u dashur me njerëzit. Maturia dhe tiparet e tjera të karakterit të tij të mirë bënë që shokët ta mbajnë afër. Duke e parë etjen e tij për drejtësi e të vërtetën, i jepnin literaturë me frymë revolucionare, e cila e armatoste me njohuri të reja dhe e përgatiste për beteja të ardhshme. Shkollën fillore deri në klasën e katërt e kreu në Reqan. Nga e pesta deri në të tetën e vazhdoi në Suharekë. Hallet e jetës u rënduan herët në supet e tij të njoma. Detyrohej që pas mësimit t’i ndihmonte prindërit e tij në punët e bujqësisë dhe të kujdesej për bagëtitë. Megjithëse i mungonte koha gjente rast të takohej me shokë, gjatë rrugës për në shkollë, në kthim – nga shkolla në shtëpi, ose në fusha e male kur ruante bagëtitë me fëmijë të tjerë. Në shkollë do të gjente edhe shokë të tjerë që nuk pajtoheshin me regjimin. Me zotësinë dhe syçeltësinë e tyre këta demaskonin regjimin si shkaktar dhe burim të të gjithë të këqijave. Kështu u hapnin sytë edhe moshatarëve të tyre. Mustafa me shokët të tjerë që dalloheshin për guxim e aftësi, tani nuk ndaleshin vetëm në propagandën gojore, po do të nxitnin edhe shokët që të vepronin edhe me aksione. Me shembullin e tyre shkruanin parulla në rrugë, në muret e shtëpive të atyre që ishin të lidhur me pushtuesit. Shponin gomat e makinave të policëve, shkruanin në to parulla antiqeveritare etj. Shumë shpejt nga kjo situatë revolucionare u rrit kontrolli dhe shtimi i policëve e spiunëve. Masat e kërcënimit me përjashtim nga shkolla, dënimet e rrahjet nuk do t’i trembnin këta të rinj, përkundrazi u jepnin përvojë se si të punonin fshehurazi. Sërish gjendeshin në shkollë, thyenin fotografi të satrapit Tito, në ndonjë klasë shkruanin parulla në dërrasë të zezë, shpërndanin trakte, shprehnin pakënaqësi në orët e mësimit të gjuhës serbe etj. Në fetën e 1 Majit ditës së punëtorëve fëmijët ndaheshin sipas lagjeve dhe mblidhnin drunj të thata. Grumbullonin shumë drunj në çdo kodër dhe prisnin deri sa të errësohej mire, pastaj ndizeshin zjarret: flaka e të cilëve arrinte disa metra lart. Në errësirën e natës fillonin thirrjet e gëzuara të fëmijëve dhe shpërthenin parullat kundër tradhtarëve, kundër pushtueseve, lëshoheshin parulla për çlirim nga okupatorët etj. Këto veprime i nxiste dhe i organizonte Mustafa me shokë. Thirrjet ishin të fuqishme dhe ushtonin në errësirën e natës. Fshati Reqan ishte më i përshtatshmi për të tilla punë, pasi rrethohej si një unazë nga malet, në përjashtimin të hyrjes së fshatit. Të rriturit i gëzoheshin veprimeve të fëmijëve nga ata të cilët e urrenin regjimin e Titos, kurse shërbëtorët e tij zemëroheshin duke u ngjitur deri lart në male për t’i shpërndarë e rrahë fëmijët. Për të spiunuar kishte raste që nuk guxonin, pasi ndodhte që edhe fëmijët e tyre ishin ngatërruar aty. Shihej qartë se, tani forcat patriotike vepronin në mënyrë të organizuar dhe nuk mungonte guximi të flitej hapur. Të rinjtë i ngacmonin dhe i vinin në lojë policët që dikur hija e tyre e rëndë fuste frikë. Tani, ata, për të rinjtë ishin kthyer në palaço e dordolecë loje, duke i përbuzur e sharë me fjalë. Aktiviteti i këtyre forcave rritej çdo ditë e më shumë dhe i shqetësonte autoritetet qeveritare të cilat nuk kishte fshat të Suharekës që të mos ruhej nga këto aktivitete patriotike. Merreshin masa ndaj prindërve të nxënësve, i kërcënonin të tjerët të mos përziheshin në këto punë, por vrulli i të rinjve nuk përmbahej dot. Pas përfundimit të shkollës fillore babi Mustafës, meqë ishte besimtar dhe i nxitur nga pleqtë e fshatit, vendosi ta dërgonte për shkollim në Medrese. Shkaku u gjet që Mustafa ta trashëgonte emrin e gjyshit, i cili njihej si hoxhë. Përkundër ngurrimit të Mustafës për të mos shkuar në Medrese, nga se kishte prirje të tjera, u detyrua nga autoriteti i babait. Mustafa do të shihte se në librat e fesë i thureshin lavde këtij pushteti të egër që vriste, burgoste, ndiqte e arrestonte shqiptarë, për arsyen e vetme se guxonin të kërkonin të drejta për popullin tonë, si për popujt e tjerë, pse guxonin të lexonin libra të ndaluar si të Shotës e Azem Galicës etj. Në faqet e saj, shqyente me urrejtje fotografinë e kryebanditit Tito, gjë që e bënte më herët edhe me librat e shkollës. Në Prishtinë, Mustafa jetoi katër vite me radhë. Ishte brumosur dhe armatosur me njohuri më të domosdoshme si atdhetar. Në Prishtinë, vinte i pjekur dhe kjo do të bënte që ky të mos izolohej si të tjerët vetëm me mësimin e fesë. Mustafa e dinte se në kryeqendrën e shqiptarëve, mblidheshin revolucionarë nga të gjitha rrethet e viset e pushtuara nën Jugosllavi, të cilët bënin përpjekje të organizuara për çlirim. Këtu do të shihte revoltën e fuqishme të studentëve dhe masave punonjëse shqiptare, se si do të ndeshej e përleshej në këto beteja kundër ushtrisë dhe policisë jugosllave, që përfundonte me gjakderdhje të mëdha e me viktima të shumta. Këtu do të shihte edhe tradhtinë e madhe dhe ndarjen e asaj klase që i shërbente kësaj politike të shtypjes e dhunës. Mustafa, në Medresenë e Prishtinës do të fuste një frymë të re – atë të patriotizmit, ashtu siç bënte Ymer Prizreni, Papa Kristo Negovani, Fan Noli e tjerë atdhetarë të devotshëm për lirinë e vendit. Te shokët e tij në Medrese, Mustafa propagandonte me zjarr në demaskimin e pushtuesve dhe çdo të keqeje, duke i nxitur që të kundërviheshin hapur një bote të padrejtë që u kishte vënë prangat e skllavëve. Mustafa përcillte me admirim çdo aktivitet patriotik dhe ishte optimist për të ardhmen e kombit. Mustafa u bë pjesëmarrës i rregullt i të gjitha demonstrative të Prishtinës. Vëllai i tij tregon se në vizitat që ia bënte, ai tregonte për pjesëmarrjen në demonstrata dhe si zhvilloheshin ato. Aktiviteti patriotik tanimë ishte bërë preokupim kryesor për të. Më 25-26 mars të vitit 1989, kthehet nga Prishtina në Reqan meqë i martohej një kushëri. Aty i njoftoi dasmorët për ngjarjet që ziheshin në Prishtinë. Përkundër lutjeve për të qëndruar në shtëpi, për t’u çmallur me njerëzit e shtëpisë dhe përkundër faktit se ishte gjendje e jashtëzakonshme, ai u nis për t’u kthyer në Prishtinë, për të marrë pjesë në demonstrata. Mustafa s’mund të bënte sehir e të rrinte indiferent kur pushtuesit jugosllavë dhe veçmas ata serbë, donin ta mbysnin çështjen shqiptare. Niset për rrugë, por në Suharekë mbetet duke pritur. Autobusët për Prishtinë nuk udhëtonin, pasi ishte ndaluar udhëtimi. Mustafa i kishte vënë vetës detyrë që gjallë a i vdekur të arrinte në Prishtinë. Pas disa orë pritjeje, kalon atypari një shofer i njohur transporti. Në fillim e kalon, por duke e parë shqetësimin e tij, ndalon dhe e merr me vete. Në Lipjan i ndalon policia dhe i urdhërojnë të kthehen; Shoferi i thotë: “Mustafë po kthehemi pasi rruga është bllokuar, e nuk na lejojnë për të vazhduar rrugën”. Mustafa i thotë: “Ti vepro si të duash kurse unë i gjallë pa hyrë në Prishtinë nuk bënë”! Shoferi, kur e sheh vendosmërinë e tij, thotë: “Unë, ty vetë nuk të lë”! Ia mësynë një rruge tjetër, për në Golesh dhe Magure. Pas shumë orësh udhëtim e me shumë vështirësi hyjnë në Prishtinë. Sapo arrijnë në Prishtinë, Mustafa i lë rrobat në Medrese dhe së bashku me një shok dalin në demonstratë. Shoqëruesi i tij tregon se, ai ishte lodhur nga gazi lotsjellës dhe kishte  vendosur të kthehej. Mustafën e kishte parë dhe e kishte lutur të kthehej, të shkonin të pushonin në Medrese, por ai kishte refuzuar. Meqenëse Mustafa ishte i zhvilluar fizikisht dhe i madh me trup, nuk i linte policët të afroheshin duke i gjuajtur me tulla të një muri që e ishte afër vendit ku po demonstrohej. Shoku i tij largohet duke e lënë Mustafën në qëndresë kundër policisë. Mustafa guximtar e sypatrembur, nuk largohet nga rezistenca deri sa goditet me një plumb, i cili e shpon anë e përtej në anën e djathtë të gjoksit. Qëllohet nga afërsia. Demonstruesit e tërheqin luftëtarin sypatrembur, të goditur rëndë. Arrijnë ta fusin në podrumin e një mishtoreje. Për ndihmë mjekësore e dërgim në spital nuk ka pasur mundësi, pasi të gjitha rrugët kanë qenë të bllokuara me policë. Pranë tij, deri sa ka ndërruar jetë, ka qëndruar një i ri, 14-vjeçar. Atij ia flet fjalët e fundit: “Unë jam Mustafë Veselaj nga Reqani i Suharekës, jam nxënës i Medresesë” dhe ia jep numrin e telefonit të motrës së tij në Suharekë. “Tregoju se unë jam këtu. Unë po e shoh që po vdes dhe jeta nuk po më dhimbet aspak. Fitorja është afër”! Në orën 3 e 15 minuta, me 27 mars të vitit 1989, Mustafë Veselaj ndërron jetë. Të nesërmen, në ora 7 të mëngjesit, policia e merr trupin e tij të pajetë dhe e dërgon në spitalin e Prishtinës, ku i hakmerren edhe për së vdekuri duke ia prerë e copëtuar trupin. Pas njoftimit të vrasjes së Mustafës, vëllai i tij i madh niset për ta marrë kufomën e tij. Atë e rrahin e maltretojnë dhe e quajnë vëlla të armikut. Atij i bie sheh edhe të vrarë të tjerë nëpër demonstrata të tjera anë e kënd Kosovës. Në Reqan, pasi sillet i vrari, sipas zakonit deshën ta lajnë, por ndërhynë një plak i vjetër, i cili nuk i lejon duke thënë: “Ky gjak është i pastër dhe u derdhë për lirinë e Atdheut”! Në ditën e varrimit morën pjesë me mijëra njerëz, nga të gjitha rrethet e vendit. Edhe në ditën e varrimit nuk e lanë të qetë, mbi turmën e njerëzve fluturonte një helikopter, që bënte zhurmë e kërcënohej hapur për t’i trembur pjesëmarrësit në varrim. Pas vdekjes së Mustafës, kujton një plakë e njohur, që e kishte pyetur Mustafën: “A po ju lë hoxha për të shkuar në demonstratë”? Ai mu përgjigj: “Nuk po e pyesim”! Pas rënies, gruaja e Mustafës lindi një djalë, i cili trashëgoi emrin e babait.

Lavdi dëshmorit të lirisë Mustafë Veselaj!

(Ky shkrim është botuar në gazetën “Çlirimi”, organ i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e  Kosovës, më 25 mars të vitit 1999)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka…