Mustafi: Ligjet për të huajt dhe automjetet prekin direkt shqiptarët e Luginës

16 janar 2026 | 13:59

Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka nisur që sot, ka implikime të drejtpërdrejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ende nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës e jetojnë në Kosovë prej vitesh.

Sipas tij, ligjet nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite ka ekzistuar një “zonë gri administrative”.

“Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje”, ka shkruar Mustafi në “Facebook”.

Qeveria e Kosovës ka mundësuar gjithashtu aplikimin për dokumente për qytetarët apatridë ose të pasivizuar në Luginën e Preshevës dhe ka krijuar mundësi për bartjen e pronave të paluajtshme në emrin e tyre.

Procedurat janë lehtësuar dhe pritet që miratimi i Ligjit të ri për Shtetësinë të ofrojë një kornizë më gjithëpërfshirëse.

Mustafi ka theksuar se pas datës 15 mars zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, ndërsa qytetarët duhet të veprojnë për të shmangur pasoja administrative.

“Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron dhe i trajton me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë”, ka thënë Mustafi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më…