Mustafi reagon pasi Serbia tha se shqiptarët në Luginë s’po duan të aplikojnë në polici

27 maj 2025 | 14:57

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj një pretendimi të bërë së fundmi në Serbi, sipas të cilit “asnjë shqiptar nuk ka shprehur interesim për t’iu bashkuar Policisë së Serbisë”.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Mustafi e ka cilësuar këtë deklaratë si “një manipulim klasik i të vërtetës”. Ai ka thënë se në çdo konkurs të shpallur, shqiptarët kanë aplikuar në numër të konsiderueshëm, por asnjë prej tyre nuk është pranuar – madje as ata që i kanë plotësuar të gjitha kriteret bazë.

“Që nga viti 2008, nuk është pranuar asnjë shqiptar nga Presheva, Bujanoci apo Medvegja në Akademinë Policore të Serbisë”, ka shkruar ai.

Sipas Mustafit, diskriminimi është i thellë dhe i qëllimshëm, ndërsa rasti i fundit, konkursi i majit 2025, është “dëshmia më e qartë”: nga 43 të pranuar, asnjë nuk ishte shqiptar.

“Ky është diskriminim institucional dhe jo mungesë interesi, është mendësi koloniale dhe jo mungesë aplikimi”, ka shkruar Mustafi.

Ai ka thënë se shumë të rinj shqiptarë janë dekurajuar nga padrejtësitë në procedurat e përzgjedhjes, përfshirë eliminime politike dhe trajtim diskriminues gjatë fazave të testimit dhe intervistimit – veçanërisht ndaj atyre që kanë pasur të afërt ish-pjesëtarë të UÇPMB-së.

“Ka raste të dokumentuara kur kandidatët shqiptarë nuk janë ftuar fare në fazën përfundimtare, edhe pse kanë kaluar me sukses testet paraprake”, ka shkruar Mustafi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka…