Myftiu Tërnava: Besimtarët janë të obliguar ta presin festën e Bajramit në shtëpitë e tyre
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, u është drejtuar besimtarëve myslimanë me një mesazh në xhumanë e fundit të muajit të Ramazanit.
Ai ka theksuar se ky Ramazan ka privuar të gjithë nga xhamitë tona për shkak të situatës pandemike, por që qëllimi i vetëm ishte ruajtja e shëndetit publik, derisa adhurimet ndaj Krijuesit secili ka mundur t’i kryej në shtëpitë e tyre.
Myftiu ka folur edhe rreth debateve të zhvilluara rreth çështjes së hapjes së xhamive, duke ritheksuar se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore, po ashtu edhe me njohës të së drejtës së sheriatit.
“:Nga këto kontakte e takime u vlerësua se rreziku ekziston, andaj duhet të presim edhe një kohë për rihapjen e tyre, në mënyrë që të mos rrezikohen jetërat e shumë njerëzve”, ka thënë Tërnava.
Më tutje, myftiu Tërnava ka thënë se me dispozitat e fesë Islame, janë të obliguar t’i respektojnë institucionet përgjegjëse dhe ekspertët, në mënyrë që ta ruajnë njëri-tjetrin.
Në këto kushte, myftiu Tërnava, ka thënë besimtarët janë të obliguar ta presin festën e Fitër Bajramit në shtëpitë e tyre bashkë me familjen, pa i lënë anash lutjet, ibadetet dhe festën duke respektuar masat e profesionalistëve.
Ai në fund ka uruar që Zoti t’i ketë pranuar ibadetet e lutjet në muajin Ramazan, ta ruaj shëndetin, jetën dhe vendin tonë. (L.G/ Epoka e re)



