Myftiu Tërnava u bëri thirrje liderëve politikë për unitet

20 mars 2026 | 09:41

Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën po festojnë sot festën e Fitër Bajrami, e cila shënon përfundimin e muajit Ramazan.

Kjo festë vjen si një moment gëzimi, falënderimi dhe reflektimi pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe solidariteti.

Manifestimi qendror në Kosovë i Fitër Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku besimtarë të shumtë u mblodhën që në orët e hershme të mëngjesit.

Manifestimi filloi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu kryetari i Këshillit të BI-së së Prishtinës, Hetem ef. Sopjani, për t’u vijuar me ligjëratën tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri.

Manifestimi vijoi me faljen e namazit të Fitër Bajramit, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ndërsa hytben e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili përcolli mesazhe paqeje, solidariteti dhe uniteti për të gjithë besimtarët dhe shoqërinë tonë.

Me theks të veçantë, Myftiu Tërnava, në hytben e Fitër Bajramit, u bëri thirrje liderëve politikë për unitet, duke nënvizuar se interesat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të vihen gjithmonë në radhë të parë

Festa e Fitër Bajramit shënon jo vetëm fundin e agjërimit, por edhe forcimin e vlerave të bashkëjetesës, mëshirës dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

Me rastin e kësaj feste, Bashkësia Islame e Kosovës, organizon edhe pritjen tradicionale të urimeve në selinë e saj, nga ora 09:00 deri në 12:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një…