‘Na shkoj jeta neve’, Hamza publikon momentin prekës me qytetarin nga Suhareka (video)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga Suhareka, ku gjatë një bashkëbisedimi me një qytetar ka folur për gjendjen e rëndë ekonomike dhe zhgënjimin që, sipas tij, po e përjetojnë shumë familje kosovare.
Në video dëgjohet qytetari duke iu drejtuar Hamzës me fjalët: “Gjashtë parë sy duhet me i pasë… A po e sheh, veç te poshtë po shkon Kosova. Na shkoj jeta neve”.
Hamza ka thënë se këto fjalë e kanë prekur shumë, pasi sipas tij ato pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm me të cilin po përballen qytetarët.
“Këto fjalë më prekën shumë, sepse tregojnë dhembjen, lodhjen dhe zhgënjimin që po e përjetojnë sot shumë familje në Kosovë. Nuk guxojmë ta pranojmë këtë gjendje si normale”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.
Ai ka përsëritur zotimin e tij politik se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të shërbejnë si moment ndryshimi për vendin.
“Më 7 qershor, ne do t’i themi STOP krizës. Dhe bashkë, me secilin prej jush, do ta ndryshojmë Kosovën”, është shprehur Hamza.



