Nacionalizmi në Perandorinë Osmane

28 maj 2025 | 08:05

Nga: İlber Ortaylı
Përktheu nga turqishtja: Agron Islami

Edhe pse kishte shumë perandori u shembën nga nacionalizmi, duhet theksuar që as Rusia dhe as koalicioni Austri-Hungari nuk ishin të përfshira nga nacionalizmi, aq sa ishte Sulltanati Osman (Perandoria Osmane). Qysh në vitin 1804, kryengritja serbe dhe pavarësia e saj, pastaj në vitet 1821-’29 kryengritjet greke dhe pavarësia e tyre, u bënë shkak që të ngjallnin ndjenjat e nacionalizmit edhe te popujt e tjerë që ishin nën administrimin osman. Sistemi i Sulltanatit Osman i cili ishte i ndryshëm nga sistemet e perandorive që përbëheshin nga shumë etni, u bë pre e nacionalizmit bullgar dhe atij armen që, për pasojë, do të organizoheshin shumë grupe të tjera kundër Perandorisë Osmane në emër të revolucionit.

Në të njëjtën kohë, kemi tentativat e sionistëve të ardhur nga jashtë (perandorisë) që përfitonin nga dobësia e politikave të Perandorisë duke ngritur çështjen e nacionalizmit te popujt arabë dhe kurdët, ku qëllimi final ishte krijimi i një shteti hebraik brenda tokave që ishin nën administrimin e dobët të Perandorisë Osmane.

Por, njëri ndër nacionalizmat më interesantë është ai i shqiptarëve. Sami Frashëri, i cili ishte njëri nga shkencëtarët e mëdhenj në Perandorinë Osmane, i shërbente nacionalizmit shqiptar pa e lënë anash as nacionalizmin turk. Ai ishte një nga gjuhëtarët më të njohur, shkruesi i parë i fjalorit dhe Enciklopedisë turke – edhe pse jo shumë i suksesshëm në shkrimin e romanit Dashuria e Talatit me Fitneten (Taaşşuk-ı Talat ve Fitnat) – i cili bën pjesë ndër romancierët e parë, dhe po ashtu ishte shkrues i alfabetit shqip me shkronja latine, gramatikës shqipe, shkrues i veprës së parë teatrale shqipe (Besa) etj. Të gjitha këto krijimtari të Şemsettin Samiut (Sami Frashërit) pasqyrojnë dualizmin e nacionalizmit të dy popujve, atij turk dhe shqiptar.

Por, gjatë studimit të Enciklopedisë së Samiut shohim hiperbolizime të nacionalizmit shqiptar dhe atij turk, që nënkupton se këta dy popuj para së gjithash kishin identitet islam, gjë që vërtetohet me vizitën e Sulltan Mehmet Reshatit V në trojet shqiptare. Kjo vizitë vjen si pasojë e ngjalljes së ndjenjave nacionale të popullit shqiptar që përcilleshin me kryengritje kundër Portës së Lartë të cilat më shumë ishin të shtyra nga shtetet e tjera dhe nga frika e rënies së Sulltanatit që mund të përfundonte me humbjen e territoreve të tyre. Kështu që vizita e Sulltanit iu mjaftoi shqiptarëve si argument se pozita dhe politika e Sulltanit ishte evidente dhe e pandryshueshme në konceptin e Ummetit. Deri më 1912-’13, atëherë kur fillojnë ndryshimet në hartën e Ballkanit, shqiptarët i shërbenin perandorisë, por pas krijimit të situatave të reja në rajon, shqiptarëve iu imponohet të ringjallin nacionalizmin dhe të shpallin pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa, sa i përket nacionalizmit turk, ai doli në skenë në vitet e fundit të Perandorisë Osmane.

Nacionalizmi i Ballkanit

Shumica e historianëve bashkëkohorë çështjen e daljes në skenë të nacionalizmit në Ballkan e lidhin me revolucionin francez dhe me Napoleonin, por në fakt urrejtja nacionale në mes popujve të Ballkanit ishte evidente në periudha shumë më të hershme. Popujt e Ballkanit kishin sistemin familjar dhe lidhjet etnike ishin të qëndrueshme; në të njëjtën kohë, duhet theksuar, popujt e Ballkanit edhe pse ishin brenda Evropës ata ishin të shkëputur nga kultura evropiane. Popujt e Ballkanit ishin pjesë e administratës së Bizantit dhe për vite të tëra i shërbyen asaj.

Nacionalizmi në Ballkan është i vjetër sa edhe vetë nocioni nacionalizëm; arsyeja e mungesës së argumenteve ka të bëjë pikërisht me popujt e Ballkanit që e ndërruan identitetin e tyre sipas nevojave. Nacionalistët e Ballkanit (me përjashtim të turqve dhe shqiptarëve) aq sa zhvilloheshin e rriteshin brenda Ballkanit, po aq zhvilloheshin dhe përkraheshin nga jashtë Ballkanit (sllavët përkraheshin nga Rusia cariste, kroatët dhe sllovenët nga Austria dhe Gjermania). Popujt sllavë ushqeheshin prej çekëve dhe rusëve, kurse për çështjet politike, shkencore, madje edhe ndihmën ushtarake, ata kishin përkrahjen e Greqisë. Prandaj, në histori janë të njohur vullnetarët e Evropës Perëndimore që iu bashkëngjitën kryengritjes së grekëve, e që u përcoll me një luftë shumë të gjatë. Një luftë të tillë Evropa do ta shihte vetëm në luftën e brendshme në Spanjë (në lidhje me këtë kemi edhe kryengritjen e hungarezëve më 1848 ku iu bashkëngjitën shumë vullnetarë nga Polonia dhe Italia). Nga ajo kohë e deri tani doli në skenë filohelenizimi.

Ndikimi helen te popujt e Ballkanit, e në veçanti te bullgarët në fillim, ishte shumë evident, saqë në shek. 18 nga shumë intelektualë evropianë thuhet se ndikimi helen ishte aq i madh sa nuk mund të bëheshin dallime mes dy popujve – atij bullgar dhe atij grek. Intelektualët e kohës besonin në idenë se pika e përbashkët e të krishterëve ortodoksë është helenizmi dhe gjuhë e fesë duhet të jetë greqishtja. Një rast më konkret e kemi me Aprilovin që në shkencë njihet si babai i shkencës bullgare. Aprilovi ishte një ortodoks i cili po ashtu besonte se baza e ortodoksizmit ishte helenizmi, por takimi i tij me historianin ukrainas Velin, bëri që të ndryshonte bindjet rreth identitetit bullgar duke kaluar në idenë se rusët para së gjithash janë sllavë dhe me këtë bindje Aprilovi ia kushtoi gjithë jetën dhe pasurinë shkencës bullgare.

Por, megjithatë, ndikimi helen te pjesa më e madhe e bullgarëve ishte aq i madh, saqë shumica e popullatës e quanin veten grekë me arsyen se gjuha greke është gjuha e fesë së tyre, andaj edhe propaganda për ndikim te popullata ishte e nivelit shumë të lartë saqë kemi shumë nga intelektualët bullgarë që bënin thirrje për mësimin e gjuhës greke, p. sh. kemi fjalorin e priftit Mihail, i cili në pjesën hyrëse thoshte se mësimi i gjuhës greke është kusht për të qenë një besimtar i mirë i krishterë. Edhe në shek. 17, atëherë kur prijësit fetarë katolikë bullgarë për herë të parë i ftonin në katolicizëm, kishin të njëjtën bindje sa i përket helenizmit dhe greqizimit të popullatës. Ndërsa, më vonë, kemi daljen në skenë të liderëve të fesë katolike të cilët e thërrasin popullatën në një ide krejtësisht ndryshe nga ajo e mëparshmja. Njëri ndër ta ishte Paissi që ishte shkolluar në Greqi e që e thërriste popullin e vet në nacionalizëm me sloganin “njiheni historinë dhe gjuhën bullgare! Mësojeni historinë e carllëkut bullgar”. Thirrjet e Paissit ishin ndër shkaqet që mundësuan shkrimin e një historie sllavo-bullgare.

Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se model për nacionalizmin bullgar para së gjithash ishte nacionalizmi greko-helen. Ashtu siç u tha edhe më lart, se nëpër shkollat bullgare dhe nga klasa intelektuale, siç ishte Aprilovi, të vërtetën mbi identitetin bullgar e mësuan vetëm pas takimit të tij me historianin Venelin, populli bullgar arriti që ta ruajë identitetin e vet atëherë kur Papa i Romës iu propozoi që të themelonin një kishë të pavarur që do t’u mundësonte të kryenin ritet fetare në gjuhën amtare (bullgare), ashtu siç ishin të krishterët armenë, sirianë, koptë …

Më 1860 kërkohet leja për ndërtimin e kishave katolike bullgare. Në fillim, Rusia nuk dinte se çfarë të bënte; t’i dilte në ndihmë Kishës romake apo t’i dilte në ndihmë nacionalistëve bullgarë të cilët kërkonin të drejtën e tyre për ndërtimin e kishave bullgare. Perandoria Osmane në fillim i shikonte me kureshtje lëvizjet dhe përçarjet mes katolikëve, por kur e pa se popullata bullgare mund të dilte jashtë kontrollit të Perandorisë, atëherë vendosi që të njihte pavarësinë e kishës ortodokse-bullgare.

Kush e financoi nacionalizmin në Ballkan?

Mund të thuhet se nacionalizmi në Ballkan mori hov gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Gjatë administrimit osman në Ballkan, popullsisë ballkanase iu dha mundësia që të shkollohej në gjuhën e tyre, iu njoh e drejta të adhuronin Zotin në gjuhën amtare ku dolën në skenë shumë prijës fetarë e intelektualë të cilët në shekujt 18-19 do të jenë nga figurat e larta të nacionalistëve serbë (siç ishin klerikët Papaz Mihail, Sofrani Vraçanski, Paissi Hilanderski etj.). Por, në të njëjtën kohë nuk mund të mohohet fakti se nacionalizmi nuk përkrahej edhe nga shtetet evropiane siç ishin Venediku, Vjena, Berlini, Londra, pastaj kolonitë në Paris, ku më herët u cek se një rol të veçantë e luante Greqia helene. Faktet flasin se serbët dhe bullgarët, në Evropën e Mesjetës, kishin koloni të shumta që merreshin me tregti. Këto koloni u bënë shkak që në Ballkan të sillnin kulturën gjermane, d.m.th. popujt e Ballkanit në njërën anë ishin nën ndikimin e kulturave franceze dhe anglo-saksone, ndërsa në anën tjetër ishin të hapur edhe për kulturën gjermane. Ndërsa, Rusia, deri në Luftën e Dytë Botërore konsiderohej si pjesë e familjes bullgare duke u nisur nga sllavizmi.

Faktorët kryesorë për zhvillimin e nacionalizmit janë: shkollimi dhe mediat. Mbretëria bullgare dhe ruse, në krahasim me Perandorinë Osmane, ndante shumë më shumë para për shkollimin e popullatës. Gazeta nuk shërbente vetëm për informimin e popullit për ngjarjet ditore (siç ishte tek osmanët), por gazeta ishte një organ në të cilën trajtoheshin tema nga fusha të ndryshme si historia, gjeografia, letërsia e të ngjashme. Edhe regjimet diktatoriale këto dy burime i shfrytëzuan në maksimum, për të arritur qëllimet e veta. Në shekujt 19-20 themelohen edhe organizatat e para në vend. Këto organizata synonin që analfabetizmin ta shndërronin në dituri. Është interesante se për të marrë titullin intelektual duhej të dëshmohej vetja prej shkencëtari, që në Evropë ishte një term që përdorej shumë rrallë (nga mungesa e intelektualëve). Intelektual mund të bëhej kushdo që dinte shkrim e lexim, e kjo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ndjenjave nacionale bullgare.

Pas rënies së osmanlinjve e sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kemi një ngjallje të hovshme të nacionalizmit në Ballkan. Ndoshta problemi më i theksuar i popujve të Ballkanit ishte ndikimi nga kultura gjermane. D.m.th. kjo më shumë kishte të bënte me një modernizim që zhvillohej në emër të nacionalizmit e që financohej nga shtetet evropiane.

Dalja në skenë e nacionalizmit ballkanik qëndron mbrapa ideologjisë së modernizimit të popujve ballkanas. Zhvillimi i nacionalizmit në Ballkan e ka bazën te ideologjitë e teologëve sllavë dhe atyre helenë. Meqë ishte pjesë e ideologjive fetare, te popujt myslimanë (turk e shqiptar) nacionalizmi lulëzoi shumë vite më vonë sesa te të krishterët. Nacionalizmi arab, deri në Luftën e Parë Botërore, ishte shumë sipërfaqësor, kurse nacionalizmi turk zë vend në shek. 19 dhe është i lidhur direkt me studentët dhe intelektualët që studionin në Francë, të cilët bënin thirrje për parlamentarizëm.

Historia e Ballkanit është e lidhur ngushtë me kulturën romake-helene dhe atë sllave. Krishterimi është trashëgimi e Bizantit. Ndërsa, plot pesë shekujt e fundit janë shekujt e osmanëve. Përkundër orvatjeve nga faktorë të jashtëm, kultura e trashëguar nga Bizanti dhe osmanët është e pashlyeshme në Ballkan, ngase tani ajo është pjesë e jetës së tyre. Dhe, për ta kuptuar kulturën, historinë dhe të gjitha problemet që kanë të bëjnë me Ballkanin, medoemos jemi të imponuar që t’i referohemi burimeve nga historia osmane.

Nacionalizmi arab në Perandorinë Osmane

Deri në shek. 16, Perandoria Osmane njihej si një perandori që e kishte shtrirjen në Ballkan apo si perandori e Ballkanit. Popujt arabë nuk ishin pjesë e perandorisë dhe, për kohën që ishte, nuk mund të pretendohet se ekzistonin marrëdhënie mes popujve arabë dhe islamë dhe popujve të Perandorisë Osmane, me përjashtim të tregtarëve të paktë që frekuentonin tokat arabe dhe ato osmane. Ndërsa në shek. 18, për shkak të humbjes së tokave dhe kanosjes së rrezikut të popujve myslimanë arabë, nga ana e evropianëve të krishterë, osmanët do të bëhen prijatarë të myslimanëve duke udhëhequr edhe me halifatin islam. Nëse bëhet një krahasim mes nacionalizmit të popujve të Ballkanit dhe atyre arabë, shohim se arabët në fillim ishin fare të paorganizuar në çështjet nacionale. Por, në shek. 19 vërehen disa intelektualë arabë të cilët bënin thirrje për krijimin e kombeve dhe arabizim. Në momentet që ata do të zgjonin popullin për kryengritje, Perandoria Osmane do të shkatërrohet dhe popujt arabë do të mbeten jashtë kufijve të Perandorisë.

Vilajetet arabe, në krahasim me ato të Ballkanit, ishin më të përparuara sa i përket statusit; familjeve me nam iu njoh e drejta për të qeverisur me popujt e vet, sistemi i timarit nuk u organizua në të gjitha vilajetet (që nënkupton futjen e tokave të qytetarit nën kontrollin e shtetit, e që një pjesë e konsiderueshme e produktit i ndahej ushtrisë); në periudhën e Tanzimatit (periudha e reformave në vitin 1839) në vendet arabe vilajetet që ishin pjesë e sistemeve të lartpërmendura ishin: Libia, Shami, Halebi, Palestina, Iraku (Mosuli, Bagdadi, Basra), ndërsa Hixhazi nuk ishte pjesë e një sistemi të tillë. Kërkesat e Perandorisë në Jemen u kundërshtuan. Ndërsa, më 1840, në Libi u zhvillua një luftë prej së cilës, me ndërhyrjen e shteteve të tjera, Libisë iu njoh autonomia.

Në shek. 19, së bashku me sistemin reformues të Perandorisë Osmane, arabët veç asaj që u zhvilluan ekonomikisht, u ndikuan edhe nga aspekti ideologjik (nga të huajt). Zhvillimi i transportit evropian bëri që një pjesë e madhe e popullit të merrej me tregti. Si qendra tregtare të mëndafshit njiheshin Libia dhe Siria. Ndërsa në limanet e Basras, Hajfas, Bejrutit e Latakias bëhej ndërrimi i mallrave që u sillte pasuri të mëdha popujve arabë dhe kjo bëhej falë transportit të zhvilluar evropian të cilët blinin dhe shisnin nga arabët. Vlen të theksohet se Franca në kohëra shumë më të hershme e kishte shtruar ndikimin e saj kulturoro-fetar te këta popuj. Në shek. 19 (me dobësimin e Perandorisë Osmane) nëpër rrugët e shteteve arabe ishte rritur numri i misionarëve anglezë e amerikanë dhe një politikë të tillë misionarësh do ta ndiqte edhe Rusia. Ndikimet nga jashtë bënë që popujt arabë të largohen nga ideologjia e vjetër islame (Ummeti) dhe të synojnë ndarjen nga Perandoria gjë që aludonte në krijimin e shteteve arabe.

Përkundër të gjitha cytjeve nga jashtë, kryengritjet nuk vinin nga qendrat e mëdha (që ishin të përfshira në sistemin osman), por ato vinin nga fshatrat e largëta. Kryengritja nuk bëhej në emër të nacionalizmit (krijimit të kombit arab), ashtu siç ndodhi me popujt e Ballkanit, por ajo bëhej në emër të fesë. Nga fundi i shek. 18, kemi daljen në skenë të një tarikati fanatik të quajtur vehabizëm, ku themelues i tarikatit ishte Abdulvehabi që pretendonte se ishte pasues i kohës së Pejgamberit a.s., dhe se çdo gjë e re, duke përfshirë të gjitha sistemet dhe traditat (që lindnin sipas nevojave), ishin risi (bidate). Abdulvehabi arriti që të bëjë aleancë me familjen Saud që – edhe këta – jetonin jashtë qendrave arabe, gjë që nënkupton thatësirën arabe, e që njiheshin për kryengritjet e tyre. Kjo familje, pas vdekjes së Abdulvehabit e vazhdoi misionin e tij për ta luftuar bidatin dhe, më 1806, Emir Muhamed es-Saud pushtoi Mekën. E, pas shumë viteve, biri i Mehmed Pashës (që ishte nga Kavaja), Ibrahim Pasha, arriti që ta rikthejë Mekën.

Në periudhën e re të reformave, frytet e para dolën nga Egjipti. Mehmet Ali Pasha dërgoi një grup studentësh nga Egjipti për të vazhduar shkollimin e lartë në Evropë. Në mesin e këtij grupi bënte pjesë edhe Rifat el-Tahtavi (1801-73) që ishte prej nacionalistëve të parë. Tahtavi ishte ndikuar nga shkollimi në Francë dhe me t’u kthyer, në Egjipt, ai filloi të ushtronte ndikimin e tij te klasa intelektuale. Në fakt, nacionalizmi në Egjipt nuk synonte ndarjen nga Perandoria, por synonte modernizimin e Egjiptit – besonin se kjo do ta forconte gjendjen në vend dhe bashkëpunimin me të huaj. Njëri ndër përkrahësit e ideve moderniste ishte edhe Hajredini i cili ishte nga Tunizia e që më vonë do të arrinte të bëhej kryeministër. Hajredin Pasha, gjatë karrierës së tij si kryeministër, do t’i jepte përparësi modernizimit të sistemeve të Perandorisë. Por, Hajredin Pasha, ndryshe nga të ashtuquajturit “Osmanlinjtë e rinj”, mendonte se autoriteti i sulltanit është i paprekshëm – aludon në atë se sulltani ishte halife i myslimanëve. Sulltan Abdul Hamiti II nuk qëndroi duarkryq ndaj këtyre lëvizjeve nga ana e arabëve. Ai iu dha mundësinë që të bëheshin pjesë e burokracisë, ku në mesin e këtyre të rinjve liberalë bënte pjesë edhe Hajredin Pasha. Por, ashtu siç u veprua më herët me homologët e tyre turq dhe shqiptarë, edhe këta u ndërruan me njerëz më të besueshëm për Portën e Lartë. Në vendin e tyre bënte pjesë Izet Pasha që ishte me prejardhje arabe, i cili më vonë do të binte nën ndikimin e ideologut modernist, Xhemaludin Afgani.

Në këtë periudhë del në skenë Muhamed Abduhu dhe Saad Zaglul (Zağlûl) që i kundërshtonin ndikimet e mundshme britanike në Egjipt, në të njëjtën kohë edhe pse Muhamed Abduhu ishte përkrahës i Xhemaludin Afganit në çështjen e modernizmit të Islamit. Ai besonte se Islami duhet t’i shërbejë njerëzimit jo vetëm si fe, por si alternativa e vetme për civilizimet botërore. Ai mendonte se, para së gjithash, arabët ishin ata që kishin të drejtë të krenoheshin me Islamin (ishin të zgjedhurit për Islam). Një mendim i tillë do të krijonte kushte për largim nga ideologjia e Ummetit që aspiron në nacionalizëm dhe krijimin e kombeve arabe. Muhamed Abduhu kundërshtonte Ushtrinë turke (që sipas tij ishte padrejtësi të sigurohen popujt arabë nga turqit), gjuhën turke dhe shkollimin në turqisht.

Njëri ndër pasuesit e Abduhusë ishte edhe Reshid Rida (1856-1935) nga Siria, i cili kishte kaluar në Egjipt dhe nxirrte gazetën “el-Manar” (Drita). Kjo gazetë publikonte shkrime që kishin të bëjnë me popullin arab, duke aluduar se arabët ishin ata që i zgjeruan kufijtë e Islamit, ndërsa turqit, pavarësisht nga pushtimet që kryen, bënë që Islami dhe myslimanlt të poshtëroheshin. Në këtë ideologji kemi edhe modernistin nga Siria, Abdurrahman Keâkebi (1849-1902), që konsiderohej si një politikan arab sunit që kishte shëtitur të gjithë botën arabe. Duhet theksuar se Rida dhe Keâkebi ishin të ndikuar nga vehabizmi që do të thotë se me lëvizjet e tyre nuk synonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por kishin bindjen që pushteti i fesë u takonte arabëve.

Është me interes të dihet se mendimet për një Islam dhe perandori të modernizuar përkraheshin edhe nga të krishterët arabë. Arabët besonin se bashkimi rreth Perandorisë Osmane ishte e vetmja mundësi që do t’u mundësonte atyre ta ruanin bashkimin arab dhe zgjerimin e kulturës së tyre dhe atë islame. Por, ata mendonin se gjuha arabe duhet të jetë gjuhë e shkencës, duke përfshirë edhe shkrimin e saj.

Në këtë periudhë, në trojet arabe kemi hapjen e shumë shkollave të huaja (psh. Syrian Protestant College dhe Kolegji Francez Xhizvit) të cilët përgatitën kuadro nga arabët e krishterë dhe ku rëndësi të veçantë i dhanë studimit të kulturës dhe gjuhës arabe. Këta arabë të krishterë, në studimet e tyre kulturën islame e shndërruan në kulturë arabe. Si pasojë e këtyre ideologjive, kemi edhe ngritjen e ndjenjave nacionaliste arabe. Ndërsa shërbyesit me autoritet (nga arabët) në Perandorinë Osmane kërkonin të drejtat për zyrtarizmin e gjuhës arabe si gjuhë e shkencës, Porta e Lartë jo vetëm që nuk e mori parasysh kërkesën e arabëve për gjuhën arabe, poor përkundrazi bëri një presion gjuhësor duke rritur numrin e shkollave turke në vendet arabe. Po ashtu iu morën pozitat zyrtarëve arabë në Perandori, gjë që mendojmë se ishte një politikë e gabuar e Perandorisë e që ndikoi në ngjalljen e urrejtjes ndaj turqve.

Për herë të parë në shkollat më të njohura të Perandorisë në Stamboll, siç ishin: Aşiret-i mektebi Humayun dhe Mekteb-i Mülkiye, nga vendet arabe silleshin nxënës që ishin të klasave të ulëta e që deri më tani në këto shkolla mësoheshin fëmijët e funksionarëve që aludonte në atë se synohej të krijohej një gjeneratë e re e administratës (në shkollën e njohur mekteb-i mülkiye më 1907 ka pasur 106 studentë arabë).

Në këtë periudhë, përveç shtimit të shkollave të huaja kemi edhe një rritje të shkollave turke në vendet arabe. Në vitin 1880, vetëm në Haleb kishte 20 shkolla fillore dhe një të mesme, në Damask një të mesme dhe tri fillore, dhe nga ky numër shkollash, në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kishte arritur në 100. Përveç gazetave arabe dhe franceze që botoheshin në këtë kohë, kemi edhe gjashtë gazeta që botoheshin në gjuhën turke. Kështu që në vitet e fundit të Perandorisë Osmane kemi një pasuri shumë të rëndësishme gazetareske turke për hulumtuesin turk. Një rol të rëndësishëm në këtë propagandë luanin edhe liderët fetarë siç ishte Rufai Shejhi Ebu’l-Huda nga Halebi.

Në këtë periudhë kemi edhe daljen e komitetit turk të quajtur “Ittihat ve Terakki” (që ishin kundër politikave të Sulltan Hamitit, të cilët pretendonin bashkim dhe zhvillim). Ky komitet në fillim ndiqte politikat për bashkëpunim me të gjithë popujt brenda Perandorisë dhe jashtë saj. Si rezultat u krijua komiteti vëllazëror osmano- turk (Arab-Osmanlý Kardeşliği), por pas një kohe shumë të shkurtër vëllazëria në fjalë do të prishet, ku arabët do të lëvizin në forma më të organizuara në kërkimin e të drejtave të tyre. Ndër organizatat më të rëndësishme ishin: El-Kahtanijje që udhëhiqej nga Aziz el-Misrin dhe ajo El-Fatat e themeluar në Paris më 1911. Komiteti turk ndërtoi marrëdhënie me organizatën el-Kahtanijje ku shumë nga intelektualët arabë që konsideroheshin si të rrezikshëm për Perandorinë dhe ishin larguar në vende të largëta, u lanë të lirë të ktheheshin në Mekë. Mirëpo, organizata el-Kahtanijje dëshironte që pushteti të ndahet në dysh duke ndjekur modelin austro-hungarez, gjë që u refuzua fuqishëm nga komiteti Ittihat ve Terakki. Pastaj, komiteti e shpalli organizatën si të jashtëligjshme dhe më 1912 liderët e saj u dërguan në Kajro.

Më 1913, në Paris, organizata El-Fatat mblodhi një tubim kombëtar. Komiteti turk, për të parandaluar përçarjen arabo-turke zgjodhi rrugën e bisedimeve me liderët e organizatës dhe u arrit marrëveshja që gjuha arabe të bëhet gjuhë zyrtare, rritja e numrit të ushtarëve arabë – në veçanti nëpër vilajetet arabe – në Kabinën osmane në më së paku të ketë tre ministra arabë etj. Pavarësisht nga marrëveshjet e nënshkruara mes Komitetit turk dhe atij arab, Komiteti turk jo vetëm që nuk i realizoi kërkesat e arabëve, por ato i la krejt në harresë.

Duhet theksuar se përkundër të gjitha lëvizjeve arabe ndaj Perandorisë, populli arab deri në shkatërrimin e Perandorisë Osmane nga brenda (dalja në skenë e komitetit Iittihat ve Terakki), përveç disa kryengritjeve të vogla nuk mund të thuhet se synonin ndarjen nga Perandoria Osmane. /Botuar në revistën “URA”, nr. 3, Tiranë, 2009/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka proklamuar situatë…