
Nafta pëson rritjen më të madhe ditore që nga viti 2022, ndërsa tensionet Izrael-Iran përshkallëzohen
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, pasi Izraeli ndërmori sulme ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke tronditur tregjet globale dhe shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Nafta amerikane dhe nafta Brent – referenca globale për çmimin e naftës – shënuan fitimet më të mëdha ditore që nga marsi i vitit 2022, pak javë pas agresionit rus në Ukrainë.
Treguesit kryesorë të naftës regjistruan gjithashtu rritjet më të mëdha javore që nga tetori i vitit 2022, shkruan AP.
Nafta amerikane u rrit me 7.26%, duke u mbyllur në afërsisht 72.98 dollarë për fuçi.
Nafta Brent u rrit me 7%, duke u mbyllur në rreth 74.23 dollarë për fuçi.
Gjatë ditës, çmimet kishin arritur deri në një rritje prej 14% për naftën amerikane dhe 13% për Brent.
“Për tregjet, vëmendja tani është përqendruar te mënyra se si mund të evoluojë dhe përshkallëzohet situata”, tha Jim Reid, strateg kërkimor në Deutsche Bank.
Më vonë gjatë ditës, Irani iu përgjigj sulmeve duke lëshuar qindra raketa balistike drejt Izraelit.
“Skenari kryesor përmes të cilit ky përshkallëzim mund të ndikojë ekonominë globale është rritja e çmimeve të naftës”, shkruajtën analistët e Capital Economics.
Rritja e çmimeve të naftës në nivel global mund të rindezë presionet inflacioniste, duke vështirësuar perspektivën për politikëbërësit si Rezerva Federale e SHBA-së.