Naftëtarët kundërshtojnë masat mbrojtëse të qeverisë

31 korrik 2023 | 16:48

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kundërshtuar masat mbrojtëse që qeveria ka vendosur për produktet e naftës.

Kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vendimi i 28 korrikut i autoriteteve të Kosovës është bazuar në inspektimin e disa kompanive, që sipas tij, “po abuzojnë me çmimin e naftës”.

Në këtë kontekst, Berjani, ka thënë se vendime të tilla “po dëmtojnë të gjithë sektorin”.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka vendosur caktimin e çmimit tavan dhe masave të tjera mbrojtëse për produktet e naftës.

Sipas këtij vendimi, marzha maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 centë për litër, ndërkaq tavani i lejuar për shitjen me pakicë është 12 centë për litër. Vendimi do të jetë në fuqi për një muaj.

“Ky vendim është i dëmshëm për bizneset sepse me marzhën prej 12 centësh për pakicë është e vështirë të mbijetohet. Lus kryeministrin (e Kosovës, Albin) Kurti që të anulojë këtë vendim të gabuar”, ka thënë Berjani.

Ndërsa MINT-i ka theksuar se vendimi është marrë bazuar në monitorimin e çmimeve në tregun e produkteve të naftës, “evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.

Megjithatë, Berjani ka thënë se nëse ka kompani që “manipulojnë dhe abuzojnë me çmime në dëm të qytetarëve, atëherë me to duhet të merren organet relevante e jo të dëmtohen kompanitë që janë korrekte në shërbim të qytetarëve dhe me çmime reale”.

Ai ka paralajmëruar se për vendimin e fundit të MINT-it, Shoqata e Naftëtarëve do t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

Aktualisht, çmimi mesatar i një litri naftë në Kosovë është 1.45 euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj është arrestuar…