
Nagavci: Grenellit i pëlqejnë negociatorë që ia bëjnë ‘amin’ për çfarëdo
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për medie, ku zyrtarët e kësaj partie kanë folur për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, para medieve ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti ka bërë kompromis krejt kundër parimeve të cilat i ka përmendur.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Hoti nuk e ka as përkrahjen e partnerëve të koalicionit.
“Deputetët e grupit parlamentar të LV-së kanë paraqitur kërkesat për raportim në lidhje me këtë marrëveshje dhe pikat e saj. Përkundër deklaratave të vazhdueshme të vetë zotit Hoti se platformë e dialogut është vetëm Kushtetuta, ndërsa minishengenin e konsideronte të dëmshëm dhe në favor të Serbisë, ajo çka pamë në ShBA ishin deklarime dhe koncensione komplet të kundërta. Kjo qeveri e paligjshme nuk mund të negociojë në emër të Republikës së Kosovës. Aktualisht për këto dakordime të arritura, zoti Hoti ka prapa vetëm gjysmën e LDK-së dhe gjysmën e Nismës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Hoti ka treguar hipokrizi në çështjen e njohjes reciproke, si dhe në kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Nga marrëveshja për normalizim, ai kthehet prapa. Kjo është hipokrizi sepse e pamë se si përfundoi çështja e njohjes në Uashington. U largua edhe fjala Republika e Kosovës me kërkesë të Serbisë. Në të njëjtën marrëveshje, delegacioni bëri edhe shkeljet kushtetuese duke hequr dorë nga aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo gjë nuk i lejohet një kryeministri pa legjitimitet siç është zoti Hoti”, ka shtuar ajo.
Më tutje, Nagavci ka folur edhe për akuzat e Richard Grenell ndaj kreut të partisë së saj, Albin Kurti, i cili u quajt person që gjithherë del kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Akuzat nuk tregojnë asgjë për LV-në dhe zotin Kurti, por vetëm për mënyrën se si negocion dhe çfarë partnerësh do ai. Duket që zotit Grenell, i pëlqen të ketë negociatorë si zoti Hoti që ia bëjnë amin për çkado”, tha ajo.