Nagavci: Jemi në një moment që duhet të kemi 80 vota minimumi në kuti

03 mars 2026 | 11:28

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nënshkrimet për kandidatin për president do të mblidhen në momentin kur mazhoranca të jetë e gatshme të procedojë tutje, duke theksuar se aktualisht prioritet mbetet sigurimi i 80 votave në Kuvend dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj, takimet e kryeministrit Albin Kurti me partitë opozitare janë intensive, përfshirë edhe diskutimet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me qëllim shmangien e zgjedhjeve.

Nagavci u shpreh se Kurti, në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të partisë, po bën përpjekje që brenda afatit kushtetues të zgjidhet presidenti apo presidentja dhe të evitohet një proces i ri zgjedhor.

“Dhe në këtë fazë nënshkrimet do të mblidhen në momentin që ne jemi të gatshëm të procedojmë tutje. Deputetët tanë janë të gjithë të pranishëm edhe nuk do të jetë problem mbledhja e nënshkrimeve, por unë shpresoj që do të arrijmë një konsensus edhe të gjithë deputetët do të kryejnë obligimin e tyre, do të qëndrojnë në sallë edhe do të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja. Takimet janë shumë intensive gjatë këtyre ditëve me të gjitha palët. Domethënë natyrisht zoti Abdixhiku është kryetar i një partie që ka 15 deputetë në Kuvend, andaj diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët të cilat do të mund të kontribuonin që të shmangen zgjedhjet”, tha ajo.

Nagavci theksoi se janë të interesuar që nënshkrimet e tyre të jenë në funksion të zgjedhjes së një kandidati apo kandidateje e cila do të votohet. “Kryeministri Kurti, kryetar i lëvizjes, po bën gjithçka është në kompetencat dhe përgjegjësitë e tij që të kemi presidentin, presidenten brenda afatit kushtetues dhe që të shmangen edhe një palë zgjedhje, të cilat nuk janë në interesin e të mirën e vendit. Është e vërtetë që teknikisht Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë nënshkrimet për dy kandidatë, ndërkohë që deputetët e Kuvendit teknikisht mund të kenë nënshkrimet për katër kandidatë. Dhe ne jemi të interesuar që nënshkrimet tona të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit, kandidates e cila do të votohet edhe do të merr votat, gjithashtu do të sigurojë pjesëmarrjen e 80 deputetëve në Kuvend”, tha ajo.

Sa i përket presidentes Vjosa Osmani, Nagavci tha se çështja nuk lidhet me vlerësimin e performancës, por me sigurimin e votave të mjaftueshme në një proces me votim të fshehtë.

Ajo shtoi se deklarimet e disa partive, përfshirë një subjekt me 22 deputetë që ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë një kandidat të caktuar, e bëjnë të domosdoshme garantimin paraprak të 80 votave minimumi në kuti.

“E kam thënë edhe në një intervistë, natyrisht se sistemi ynë kushtetues është i tillë që nuk ka të bëjë me vlerësim të performancës, por ka të bëjë me votat e deputetëve. Duhet të jemi të sigurt, duhet të jemi të sigurt që ne kemi 80 vota në kuti. E dini që votimi është i fshehtë, e dini situatën se si qëndrojnë edhe deklarimet e disa deputetëve. Natyrisht mendimet personale janë të rëndësishme, të vlefshme, unë i kam thënë publikisht ato. Ndërkohë që aktualisht ne kemi deklarata të partisë që ka 22 deputetë që nuk do të mbështesë një kandidat të caktuar. Ne kemi pasur një bashkëpunim të cilin e kemi vlerësuar, jemi munduar në funksion të përgjegjësive tona të japim maksimumin edhe besoj që kemi bërë një punë të mirë. Por tani jemi në një moment që duhet të kemi 80 vota minimumi në kuti”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar takimi i sotëm mes kryeministrin Albin Kurti dhe…