Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet për presidentin, besoj se do të kemi marrëveshje
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se kryeministri dhe lideri i LV-së, Albin Kurti është duke vazhduar angazhimet për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka shprehur besimin që në ditët e ardhshme do të arrihet një marrëveshje.
Nagavci të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se zgjedhjet e reja janë të panevojshme.
“Kurti është duke vazhduar me angazhimet e tij dhe unë besoj që në ditët e mbetura të arrijmë një pajtueshmëri dhe ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Pres dhe besoj që të gjejmë një zgjidhje të kemi propozime konkrete dhe të gjendet një zgjidhje dhe të votohet presidenti në Kuvend. Një palë zgjedhje jo që janë të panevojshme, por edhe të padrejta”, ka thënë ajo.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve në mes të Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.



