Nagavci: Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe rrëzimi i qeverisë Kurti, kundër vullnetit të qytetarëve

17 maj 2020 | 14:08

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizje Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot në Shqipëri është shembur dhunshëm Teatri Kombëtar.

Ajo ka thënë se rrëzimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe rrëzimi i qeverisë Kurti në Prishtinë është bërë kundër vullnetit të qytetarëve.

“Në Tiranë, rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Sot në orët shumë të hershme të mëngjesit, dhunshëm u shemb teatri.

Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve.

Për të mirën e shqiptarëve do duhej të binte e vjetra në mendësi, në sjellje e qëllime të këqija. Tek ne po ndodh e kundërta, po rrëzohet e reja progresive e po shembet kujtesa historike.

Në skenën e teatrit vazhdimisht luhen drama, por vjen koha dhe perdet bien. Shfaqja përfundon dhe spektatorët duartrokasin e shfaqin mirënjohjen ose fishkëllejnë, shajnë e mallkojnë. Por në fund pushtetet e vjetra do të shemben se s’bën. (L.G / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja shumë e dashur për publikun, Marina Vjollca feston sot…