Nagavci thotë se LV-ja pret që vendimi i Kushtetueses të jetë në favorin e tyre
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke pezulluar njëherësh edhe punën në Kuvend.
Nagavci ka thënë se presin një vendim final në favor të kërkesës së tyre.
“Natyrisht se e kemi mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme, duke besuar se një vendim ndryshe do të mund të krijonte pasoja që do të ishin vështirë të rikuperueshme. Ne presim që Gjykata ta trajtojë me integritet dhe profesionalizëm dhe besojmë se vendimi do të jetë në favor të kërkesës sonë”,ka thënë ajo për “RTV21”.
Shefja e deputetëve të LV-së, ka thënë se si parti i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Është një situatë ku, nga sa kemi parë prej qëndrimeve publike, si rrallëherë më parë ka pasur një unitet mes komunitetit të ekspertëve, juristëve, ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe profesorëve të së drejtës kushtetuese, të cilët konsiderojnë se ky dekret bie ndesh me Kushtetutën. Andaj besojmë se vendimi do të jetë në favor të kërkesës sonë. Por, përtej kësaj, natyrisht se ne kemi respektuar edhe më herët vendimet e institucioneve, në këtë rast edhe të gjykatës”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se ka ende hapësirë për bisedime sa i përket gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Ne besojmë që ka ende hapësirë për të pasur një pajtueshmëri dhe për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për ta tejkaluar këtë krizë në të cilën aktualisht ndodhemi. Një periudhë prej 59 ditësh, e cila do të ishte në dispozicion për arritjen e një konsensusi, mund të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim”, ka thënë Nagavci.



