Nagelsmann ia bën të qartë Ter Stegenit: Largohu nga Barcelona për të luajtur, na duhesh për Botëror
Marc-Andre ter Stegen po përballet me një periudhë të vështirë në karrierën e tij. Pas dy Kupave të Botës të përjetuara nga stoli i rezervave, portieri gjerman rrezikon të humbasë edhe Botërorin e vitit 2026 nëse nuk gjen minuta loje.
Pikërisht këtë mesazh ia ka bërë të qartë edhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann.
Portieri 33-vjeçar është rikthyer në stërvitje me Barcelonën pas rikuperimit nga dëmtimi, por situata e tij në klub nuk është premtuese. Joan Garcia, i transferuar gjatë verës, është tashmë zgjedhja e parë për portën, ndërsa veterani Wojciech Szczesny shërben si zëvendësues.
Në këto rrethana, Ter Stegen pritet të kalojë pjesën tjetër të sezonit në stol, përveç nëse largohet në afatin e janarit.
Gjatë konferencës për shtyp, Nagelsmann konfirmoi se ka biseduar me portierin dhe ka qenë i qartë për atë që pret nga ai.
“Afati dimëror i transferimeve nuk është kurrë i lehtë. Nuk po them që ai duhet të luajë për një klub të nivelit të lartë, por ai ka nevojë për ndeshje. Duhet të jetë në ritëm, sepse vetëm kështu mund të jetë i gatshëm për Kupën e Botës”.
Ter Stegen mori statusin e portierit numër një të Gjermanisë pas pensionimit të Manuel Neuer në verën e vitit 2024, por që atëherë ka zhvilluar vetëm katër ndeshje për shkak të një dëmtimi serioz. Pas një këputjeje të tendinit patellar dhe një operacioni në shpinë, ai është kthyer sërish në stërvitje, por Nagelsmann paralajmëron se forma e tij duhet të testohet në fusha reale.
“Duhet të shohim se sa i shëndetshëm dhe në formë është. Ai ka filluar stërvitjen, por tani i duhet loja,” theksoi trajneri.
Në fund, Nagelsmann u shpreh optimist se Ter Stegen do të gjejë një zgjidhje në merkaton e janarit.
“Duhet të jetë një klub që nuk është plotësisht i kënaqur me portierët e tij. Normalisht, nuk do të nënshkruaje me një lojtar të këtij kalibri në mes të sezonit, por jam i bindur se dikush do ta bëjë. Sepse Marc është një portier jashtëzakonisht i mirë”, tha Nagelsmann



