Nait Hasani falënderon qytetarët për mbështetjen: 31,586 vota janë besim dhe përgjegjësi
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve të Kosovës, anëtarëve dhe strukturave të PDK-së për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, ku ai ka siguruar 31,586 vota, duke u rizgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës.
Përmes një mesazhi falënderimi, Hasani ka theksuar se ky rezultat për të përfaqëson më shumë sesa shifra, duke e cilësuar si besim, shpresë dhe obligim të madh për angazhimin e tij të mëtejmë politik.
“Çdo votë është një mesazh që më thotë të mos ndalem, të mos dorëzohem dhe të punoj edhe më shumë për interesin e qytetarëve”, ka shkruar Hasani, duke shprehur mirënjohje për secilin qytetar që ka besuar në vizionin dhe përkushtimin e tij.
Ai ka falënderuar veçanërisht strukturat e PDK-së, aktivistët dhe vullnetarët, të cilët sipas tij kanë punuar me përkushtim gjatë fushatës, duke dëshmuar edhe njëherë se PDK mbetet shtëpia e njerëzve të përkushtuar për Kosovën.
Hasani ka theksuar se ky rezultat nuk shënon fundin e një gare zgjedhore, por fillimin e një përgjegjësie edhe më të madhe, duke premtuar se do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvend dhe do të punojë pa kompromis për zhvillimin ekonomik, drejtësinë, punësimin dhe forcimin e shtetit.
Në fund të mesazhit të tij, Hasani ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke uruar bekim për Kosovën dhe qytetarët e saj.



