
Nait Hasani kërkon dorëheqjen e Memli Krasniqit: Nëse ka moral, ai dhe të tjerët që i mposhti Ramizi duhet të largohen
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka kërkuar dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe jo vetëm të tij.
Ai ka theksuar se edhe deputetët e tjerë në Drenicë që janë mposhtur nga Lladrovci, duhet të japin dorëheqje.
“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre”, ka deklaruar Hasani në “Tëvë1”.
Ai ka theksuar se “Ramiz Lladrovcin nuk e ka votuar asnjë anëtar i LV-së, sepse ata do ta votonin vetëm nëse do të kishte balotazh. Përkundrazi, të gjithë qytetarët e Drenasit e kanë mbështetur atë kundër Memli Krasniqit dhe strukturave aktuale të PDK-së”.
Sipas Hasanit, kjo fitore tregon se kryesia aktuale e partisë “nuk është më legjitime” dhe se duhet të ndryshojë qasjen politike.
“Kryesia duhet t’i ulë tensionet, të zbutet në politika dhe të reagojë me maturi, jo të fajësojë të tjerët duke thënë se LV-ja e ka votuar Ramiz Lladrovcin”, ka thënë ai.
Në fund, Hasani është bashkuar me qëndrimin e vetë Ramiz Lladrovcit, duke kërkuar dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe drejtuesve të tjerë të PDK-së në Drenicë.
“Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty”, ka thënë Hasani.