
Nait Hasani: Liria që ne gëzojmë sot, ka emra, ka histori dhe ka gjak
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të kompleksit memorial që do të ngrihet në kujtim dhe nderim të Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, në Stubëll të Vitisë.
Fjalimi i plotë i Hasanit:
I nderuar Kryetar i Komunës së Vitisë, z. Sokol Halili,
Të nderuar bashkëluftëtarë, familjarë, miq, bashkëfshatarë dhe qytetarë të nderuar,
Sot jemi mbledhur në Stubëll, vendlindjen e njërit prej bijve më të shquar të kombit tonë, për të vendosur gurthemelin e kompleksit memorial që do të ngrihet në kujtim dhe nderim të Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi.
Ky moment nuk është thjesht një akt simbolik, por një betim i përbashkët se sakrifica e tij dhe e gjithë dëshmorëve tanë nuk do të harrohet kurrë.
Rexhep Bislimi ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili besoi në lirinë e çlirimin e popullit Shqiptar deri në frymën e fundit. Ai u arrestua padrejtësisht dhe u vra mizorisht në burgjet e pushtuesit serb, por vdekja e tij u bë udhërrefim për ushtarët e UÇK-së që erdhën në frontet e luftës.
Me këtë memorial, Stublla, Vitia dhe e gjithë Kosova do ta kenë gjithmonë një vend kujtese, ku do të ndalen për të reflektuar, për të mësuar dhe për t’u frymëzuar nga jeta, guximi dhe flijimi i Rexhep Bislimit.
Ky gurthemel i këtij memoriali është dëshmi se kujtesa jonë nuk shlyhet, se gjaku i dëshmorëve është themeli i shtetit tonë, dhe se ne do të mbetemi gjithmonë mirënjohës luftës së UÇK-së.
Të dashur miq,
Liria që ne gëzojmë sot ka emra, ka histori dhe ka gjak. Një nga ata emra është Rexhep Bislimi. Le ta ruajmë të gjallë kujtimin për të dhe të vazhdojmë ta ndërtojmë Kosovën për të cilën ai u flijua – një Kosovë të lirë, të drejtë dhe të dinjitetshme.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës Rexhep Bislimit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!