Narracioni lirik si akt i afrimit drejt vetes

09 mars 2022 | 15:21

Enver Visoka

Arif Molliqi, Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku, poezi, Armagedoni, 2021

Observimi substancial i ngritjes së materies artistike në formatin e një narracionit sa historik po aq universal, i mbështetur dhe i kultivuar me një semantikë karizmatike motivesh të shtrira dhe të lëvizshme në rrafshin e përgjithshëm dhe individual të gërshetimeve të rrjedhës së natyrshme në diskursin kuptimor e poetik, i japin poezisë së Molliqit, në librin “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”, dramacitet sensitiv të matur mirë për nga finesat e shprehjes dhe shijes, dhe para së gjithash i japin një sharmë të veçantë që e mban lexuesin në kureshtje të vazhdueshme. Pra, shtrirja komplekse e brendshme është e hapur dhe gjithëpërfshirëse por edhe shumë individuale që përcakton identitetin krijues, vlerën letrare të vargëzimit të materializuar mirë, të ngritur me një stilistikë të veçantë përmes funksionit të strukturuar të fuqisë së simbolit dhe metaforës në përgjithësi por pse jo edhe të groteskes, alegorisë dhe ironisë në veçanti. Që të gjitha këto dhe shumë elemente tjera të formuluara brenda shtrirjes së strukturës së brendshme në këtë vepër arti, janë të përmbledhura mirë në brendinë dhe thellësinë e gjashtë kapitujve apo njësive ndërtimore, të cilat drejtojnë kahen rrjedhës së ligjërimit poetik për të arritur që të gjitha në një pikë të vetme; te performancat e reja të një identitetit të ngritur krijues në shkallën e lakmueshme artistike.

Poezinë e Molliqit e karakterizon një narracion i lirizmit të tejdukshëm historik, si frymëmarrje themelore për lëvizjen e lirshme në motivet e tjera, të cilat frekuentohen jo rrallë njëra pranë tjetrës, gati si një trupi i vetëm. Frekuentohen apo më mirë të thuhet; shpesh edhe saldohen, ngase Molliqi është i lidhur aq ngushtë me frymën e vendlindjes, aq sa nganjëherë, nga dhimbja dhe dëshira e madhe që atë ta sheh ndryshe, grotesku dhe ironia brenda straleve të ndezura të humorit të lënë në gjysmë, të japin të kuptosh mirë një prirje të veçantë të autorit për satirë, të cilën me gjysmë gjuhe e ndal. Ndoshta për ta joshur lexuesin e bën këtë atëherë kur ai kalon pragjet e kujtimeve e i lë të ndezura në hapësirën kujtimore shkëndijat e këtyre straleve të bukura.

Ngritja apo thirrja letrare e kujtesës konceptualisht është një rekurs vlerash me nuanca pamjesh mbresëlënëse të mbështetura në kornizat e reflekseve të peizazheve si reflektim apo prodhim i ndjeshëm i kujtesës që ngritët në qendër të perceptimit përmes figurës simbolike të “mollës sherbete“ dhe “Rrushes”. Këto dhe shumë figura tjera në librin me poezi “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”“ i hasim jo rrallë në vargjet e Molliqit. Ato kanë një funksion shumë të fuqishëm në ngritjen jo vetëm të kujtesës si simbol individual e kolektiv, i një perceptimi poetik gjatë procesit të lirimit shpirtëror, por edhe si gurë ndërtimor të imazhit në përgjithësi të lirizmit poetik brenda konelurave të tejdukshme të një narracioni artistik.

Më kujtohet se hipnim mbi mollën sherbete

që ta shihnim Rrushen me vajza të tjera

derisa i matnin gjokset e fryra dhe të bardha

sa e sa herë jemi rrahur mes vete për Rrushen

………………………………..

të gjitha i kujtoj dhe zemra sa nuk më plas

kujtimet e vjetra kur me vijnë pas

/lojërat nëpër rrugët e fshatit/

E gjithë substanca e narracionit poetik, pra ka burimin në kujtesë, nga aty merr udhë, formësohet dhe fuqizohet si ndjenjë, si rrjedhë e përgjithshme brenda mozaikut të figurshmërisë së një harmonie të qetë dhe gjithëpërfshirëse, edhe kësaj radhe (si do të thoshte A. Gashi: “pa klithma dhe retorikë“),duke udhëtuar këmbë pas këmbe në ngjarjet e vendlindjes të formës kohore dje dhe sot, duke vënë përpara sakrificën sublime për të ardhur deri te sot.

 atë pranverë

vrasësit kishin qenë dy kolonelë serbë

njëri i ardhur nga Knini tjetri nga Nishi

i nxorën në oborr motër e vëlla

babai dhe nëna vdiqën

nga zhurmë shurdhuese e armëve

            /askujt s´i bëhej vonë/

Derisa sot:

në mesnatë

kishin rënë yjet në toke

bilbili la këngën i mblodhi të vegjlit

u nis për diku

/ikje e palexueshme/

Dhe ai “pastaj u degdis udhëve të botës”. Për ta kapur mirë ndaljen e këngës së bilbilit dhe degdisjen e tij “në mbretërinë e vet duke i rënë me sqep atdheut” , “n´atë udhëtimin kryengritës” të tij, patjetër lexuesit në mendje i shkrepin finesat nga e kaluara e largët te “lirikë për ata të tre”, / “Ademit, Dervishit dhe Demushit, që me një shokë bore kapërcyen malin”/; e që ngritët si simbol i një kambane të fuqishme që bie dhe vije nga “…dimri i ftohtë i kujtesës”…, apo në këtë vështrim harkor brenda spirales kohore; sot, shpërthen:

zëri i shpikur i spikerit

tregon ne televizor një narcis

duke venë lule te mermeri i ftohtë

…………

kur e shoh të përlotur

më vjen një ndjenjë hakmarrëse të them

pastë ndjesë gënjeshtra e tij

Preokupimi poetik në poezinë e Molliqit në dimensionin kohor të të sotmes ka shtrirje të veçantë jo vetëm si shqetësim poetik për ngjarjet paradoksale të një shoqërie të dalë nga lufta, por edhe si groteskë e ngjeshur mirë brenda përmasave të tejdukshme të një vargu të lirë poetik, i cili përcakton subjektin e lëvizshëm të thellësisë kuptimore dhe figurative të tij:

sa herë kthehem në qytetin tim

shoh njerëz me gërshërë në dorë

duke i prerë dy kilometra rrugë

nëpër të cilin ecin ata si shumëkëmbësha

duke i lenë fërkemet e veta të pashlyera

duke bërë potere

            /sa herë që kthehem në qytetin tim/

E gjithë këto, ashtu edhe si në shumë vargje tjera, pasqyrohen si prodhim i një vuajtjeje shekullore të një populli të shtypur e të përndjekur që në dritën e lirisë të zgjedhurit e tyre, të dehur nga egoja dhe lakmia, si nga foltorja ashtu edhe në jetën e përditshme harrojnë rrugën nëpër të cilën kanë kaluar dhe zhvatin çdo gjë që u del përpara duke “rrahur me dorë foltoren” ose duke bërë “potere” në rrugë.

Narracionit poetik po ashtu i japin impuls dhe artistikisht formojnë një shesh qendror të pigmenteve brenda unazës universale të qasjes poetike, humbjet e më të dashurve si nënës, të atit apo të vëllait, të cilat shfaqen të matura mirë brenda kufijve të shqetësimit poetik, të observuar po ashtu mirë duke ngritur dhe formësuar në qendër të galaksisë së mikrokozmosit familjar dhe atij vendor; traditën, doket dhe zakonet të spikatura brenda një stili të jetës me gjithë kompleksivitetin universal të saj. Të gjitha këto reflektojnë një universalitet të sinkronizuar estetik e figurativ brenda konturave të tejdukshme vargëzuese “Këpucët e llastikut” dhe “të shtunat” , të cilat bashkë me shiun e kthejnë kohën aty te i ati :

kur më vdiq im atë ditët dhe netët qenë njësoj

përveç të shtunave

që tashmë s´ kthehej me nga pazari si dikur

me një kalë pullali me trokëllimat e shiut

/im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku/

Vëmendje të veçantë zgjojnë poezitë “kur e paguaj mërzinë”, “ceremonia e varrimit”,”dielli prej llamarine”, “kryeqyteti i lakuriqëve”, “shah me të vdekur” dhe “ditari i varrtarit”. Këto të fundit, ashtu edhe si shumë të tjera, janë të ngritura mbi fundamentet e elementeve të groteskes, ironisë dhe para së gjithash qëndrojnë në funksion të alegorisë. Shikuar në këtë prizëm, po ashtu një vend të rëndësishëm zënë “dita e parë”, “dita e dytë” deri te ajo e dhjeta… E veçanta e radhitjes së ciklit të ditëve, në aurorën narrativo – figurative , nga e para deri te ajo e dhjeta (brenda së cilave është po ashtu i lëvizshëm, i lidhur dhe i ngjeshur elementi i motiveve të së sotmes dhe ai i së kaluarës; me peizazhin, peshkun, kripen, diellin dhe mollën sherbete) qëndron në mbikalimin mbi numrat estetik (6/6&6/, 7, 9) që zakonisht ata shënojnë ngjarje të një rëndësie të ndjeshme e të veçantë në fushën e estetikës, të cilat natyrshëm për moto kanë shenjat ose fuqinë e simbolit brenda mitit, legjendës apo mistikës në përgjithësi. Mirëpo tek dita e gjashtë, fatkeqësia nga ujku dhe torishta e thurur me thupra të kalbura, na jep një signal të qartë se autori i vargjeve jo rastësisht e emëron atë ditë, dita e gjashtë;

një ujk avdall zbriti nga mali i prerë

ra ne qytet ta kthejë orën prapa

Në ditën e shtatë:

virgjëresha u pastrua

nga mëkatet që i kishte shkaktuar

një qen rrugaç

Ndërsa dita e nëntë dhe ditët tjera mbeten brenda diskursit narrativ normal duke mos dhënë shenja finesash ngjarjesh të motivuara thjesht me estetikën apo mistikën e numrave.

Brenda koloritit të gurëve ndërtimor të njësive përbërëse të librit “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku” zënë vend të rëndësishëm pigmentet erotike sa të theksuara po aq nganjëherë të heshtura. Këto pigmente edhe pse nuk janë aq të shpeshta, rrallë mund t´i gjesh pak të zhveshura sikur kjo nga groteska.

ndryshe nga herët e tjera

krejt si në ëndërr

një grua e bardhë e butë

 

ma ndali frymën

 

ah sikur të mos ishte e vërtetë

do ta vazhdoja gjumin

            /sprovë ligështimi/

Një “sprovë ligështimi” nuk ndodh as “duke e pritur radhën në spital” e as te ajo “derë që tregon morgun”! Molliqi përpara ka porosinë e ajo mbetet gjithherë e thjeshtë dhe e qartë; ajo në njërën anë të medaljes del e angazhuar kundër “lakuriqëve që bartin sëmundje” dhe atyre “që e han lirinë”, derisa në anën tjetër del pamja e njeriut që shtrëngon fort “atdheun në gjoks” duke aluduar në altarin e sakrificës.

Kompleksivitetin e kësaj vepre letrare përmbushë po ashtu qasja me përditshmërinë e jetës në perëndim duke i vëne linja të prekshme distancës me atdheun; sa të largët po aq edhe të afërt. E largët, pse ai blen me kredi mërzinë, ndërsa e afërt sepse ai gjithmonë merr frymë me të. Pra shtrirja e këtyre segmenteve në strukturën e njësive ndërtimore të veprës letrare është e integruar mjeshtërisht dhe bën pjesë ne shtyllat themelore të saj.

Si shumë poet (edhe të letërsive tjera) Molliqi bën hapa të vazhdueshëm që t´i afrohet vetës duke e kuptuar më në fund sa pak afër është nga dëshirat dhe ëndrrat e tij, por gjithmonë duke e ditur se çfarë ai dëshiron. Në praktikat e përgjithshme të ligjërimit poetik na është fare e njohur se shumë autorë një herë shkruajnë për vete, në mënyrë që më vonë t´i afrohen afër e më afër lexuesit. Ky sublimin i qetë i ndjenjës reflekton ngrohtësi, afrim e nganjëherë revoltë, groteskë dhe ironi. Në këtë mënyrë duke e ditur se çfarë duan të tjerët, ai pra rrinë afër tyre me gjithë dhimbjet dhe mllefin e tyre të reflektuar brenda shtrirjes së një veprës së artit të poezisë në librin “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 1 marsi punëtorët e Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në…