Nasim Haradinaj kërkon të mos marrë pjesë në seancën e nesërme paragjyqësore

23 shkurt 2021 | 16:10

Toby Cadman dhe Carl Buckley, avokatë të Nasim Haradinajt, kanë kërkuar që nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i mundësohet që të mos marrë pjesë në seancën e radhës paragjyqësore, që është paraparë të mbahet nesër (e mërkurë) në orën 11:00.

Në parashtresën e avokatëve të Haradinajt, kërkohet që nesër në seancë të paraqitet nga distanca vetëm avokati.

“Me urdhër të datës 17 shkurt 2021, gjyqtari i procedurës paraprake caktoi datën për një Konferencë Statusore dhe për paraqitjet. Kjo Konferencë e Statusit është e caktuar për 24 shkurt 2021 në 11:00. Në emër të z. Haradinaj, bëhet një kërkesë që ajo seancë të shqyrtohet në mungesë të të pandehurit dhe që avokati të marrë pjesë në distancë”, është thënë në parashtresë.

Mbrojtja ia ka bashkangjitur parashtresave edhe aplikacionin dhe një shtojcë konfidenciale, ku Haradinaj ka konfirmuar kërkesën për të mos marrë pjesë në seancë dhe që seanca të mbahet në mungesë të tij.

Ekipi mbrojtës i Haradinajt, po ashtu konfirmon se Nasim Haradinaj paraprakisht ka marrë këshilla të përshtatshme nga avokatët dhe se kjo çështje është diskutuar në një takim me Haradinajn. Në fund, pëlqimi me shkrim i Nasim Haradinajt është bashkëngjitur si konfidencial.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas numërimit të votave të përgjithshme të zgjedhjeve  të 14…