NATO e përçarë për Iranin, Shqipëria mes 5 vendeve anëtare të aleancës në krah të SHBA-ve
Sipas një artikulli të Forbes, nga 32 anëtarët e NATO-s, vetëm pesë vende kanë dalë publikisht në mbështetje të ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, mes tyre edhe Shqipëria.
Shumica e vendeve të tjera të aleancës kanë mbajtur qëndrim neutral ose kritik ndaj operacionit, duke e vështirësuar për Presidentin Donald Trump kërkesën për ndihmë dhe mbështetje ushtarake nga koalicioni.
Përveç Shqipërisë, Vendet që kanë shprehur publikisht mbështetje janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Letonia dhe Republika Çeke, ndërsa mbështetje ka shfaqur edhe Kosova, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por ka baza të saj.
Këto vende kanë lidhur qëndrimin e tyre me shqetësime për programin bërthamor iranian, kërcënimet ndaj stabilitetit rajonal dhe aktivitetet e Iranit kundër aleatëve të tyre.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e lidhi qëndrim e Shqipërisë me tensionet e mëparshme diplomatike me Iranin. Në një postim në rrjetin X më 28 shkurt, Rama shkroi: “Ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump”, duke dënuar gjithashtu “agresionet kibernetike” të Iranit ndaj Shqipërisë, të cilat çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në 2022. Ky qëndrim e vendos Shqipërinë si një aleat të fuqishëm të SHBA-së në rajon, shkruan Forbes.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ripostoi fjalimin e Trump-it mbi sulmet më 28 shkurt, duke shtuar: “Ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara. Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë për të dhënë fund regjimit iranian dhe për të sjellë lirinë dhe paqen”.
Shumica e vendeve të NATO-s kanë mbajtur qëndrim neutral ndaj sulmeve, përfshirë Danimarkën, Finlandën dhe Luksemburgun, duke dënuar veprimet e Iranit, por pa mbështetur operacionin ushtarak. Disa vende, si Italia dhe Spanja, janë shprehur qartë kritikë ndaj sulmeve, duke vënë në dukje rreziqet për stabilitetin ndërkombëtar dhe pasojat humanitare.
Artikulli i Forbes thekson se mbështetja e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera të vogla të NATO-s e vendos vendin tonë në një pozicion të qartë pro-SHBA-ve dhe Izraelit, duke treguar aleancën e fortë dhe angazhimin ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal.



