
NATO forcon mbrojtjen në Poloni, dërgon ushtarë dhe artileri
NATO ka nisur vendosjen e trupave, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe artilerisë në krahun lindor, pasi Polonia akuzoi Rusinë për një inkursion të paprecedentë ajror me dronë në hapësirën e saj ajrore.
Incidenti, që përfshin rrëzimin e disa dronëve rusë brenda territorit polak, është cilësuar si kërcënimi më serioz ndaj një vendi anëtar të NATO-s që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Holanda do të dërgojë 300 trupa, artileri dhe sisteme mbrojtëse ajrore, ndërsa Republika Çeke do të kontribuojë me 100 ushtarë dhe helikopterë.
Gjermania do të zgjerojë policimin ajror mbi Poloni dhe do të vendosë një brigadë në Lituani dhe Franca do të vendosë tre avionë luftarakë Rafale.
Nga ana tjetër Mbretëria e Bashkuar po shqyrton dislokimin e avionëve të saj ushtarakë.
Polonia ka thirrur një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të mbahet të premten në orën 19:00 GMT. Presidenti polak Karol Nawrocki e cilësoi incidentin si një “provokim të qëllimshëm” rus, ndërsa kryeministri Donald Tusk e quajti atë një “provokim në shkallë të gjerë”.
Polonia ka mbyllur përkohësisht kufirin me Bjellorusinë, për shkak të stërvitjeve të përbashkëta ruso-bjelloruse Zapad 2025, të cilat fillojnë të premten dhe përfshijnë rreth 30 000 trupa.