‘NATO ftoi edhe shtete që s’janë anëtare në samit, por jo Kosovën’
Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se, në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ftesa më e rëndësishme për Kosovën do të ishte pjesëmarrja në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara.
Sipas Hoxhajt, Kosova nuk është ftuar në këtë samit, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka bërë të ditur se Kosova nuk merr pjesë në samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, pasi nuk është anëtare e Aleancës dhe nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP).
Megjithatë, Hoxhaj ka theksuar se në samit janë ftuar dhjetë shtete që nuk janë anëtare të NATO-s.
“Ato nuk kanë as partneritet formal me Aleancën, nuk janë pjesë e programit Partneriteti për Paqe dhe as nuk ndodhen në ndonjë proces anëtarësimi. Kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, ka mënyra të ndryshme për të përfshirë partnerë të rëndësishëm, qoftë me ftesë të vendit nikoqir, të vetë Aleancës, të një shteti anëtar, apo edhe në aktivitetet dhe takimet përcjellëse të samitit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se Kosova është një partner i dëshmuar i NATO-s, me kontribut në sigurinë rajonale dhe me orientim të qartë euroatlantik.
“Pikërisht për këtë arsye, prania e Kosovës në samite të tilla duhet të jetë synim i vazhdueshëm i politikës së jashtme”, ka deklaruar ai.
Sipas Hoxhajt, diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet.
“Kur mungon në ato tavolina, mungon edhe mundësia për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit”, ka thënë Hoxhaj.



