
NATO: Transferimi i ‘Patriotëve’ në Ukrainë është duke u përgatitur
Kryekomandanti i NATO-s, Alexus Grynkewich, ka thënë të enjten se përgatitjet sa i përket transferimit të shpejtë të sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” për në Ukrainë janë në zhvillim e sipër, gjersa vendi po përballet me disa prej sulmeve më të rënda të Rusisë që prej fillimit të luftës, raporton “Reuters”.
“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër, ne po punojmë ngushtë me gjermanët për transferimin e ‘Patriotëve’”, ka thënë ai gjatë një konference në qytetin gjerman të Wiesbadenit. “Udhëzimi që më është dhënë ka qenë që të lëvizim sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë ai. Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, pati njoftuar se një vend i paidentifikuar ishte gati të siguronte menjëherë 17 sisteme “Patriot” për Ukrainën.
Sipas raportimeve, besohet se Ukraina zotëron të paktën gjashtë “bateri” funksionale të mbrojtjes ajrore “Patriot”, sistem ky i bazuar në kamionë që përfshijnë radarë dhe raketahedhës. Disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të blerë armë amerikane për Ukrainën, në kuadër të planit të parashtruar nga Trumpi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar disa ditë më parë se shtetet si Gjermania, Finlanda, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe Danimarka do të jenë ndër blerësit kryesorë që do ta furnizojnë Kievin zyrtar.