Ndahen 5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zonat rurale në Kosovë
Agjencia Franceze për Zhvillim e përfaqësuar nga Proparco ka nënshkruar marrëveshje kreditimi me Agjencinë për Financim në Kosovë (AFK) në vlerë prej pesë milionë eurosh, e cila synon fuqizimin e grave dhe komunitetit rural.
Nga pesë milionë euro, tre prej tyre prej tyre janë ndarë për gratë ndërmarrëse, ndërsa dy milionë të tjera për zonat rurale.
Ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot, ka vlerësuar se me mjete do të fuqizohen gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale.
Guerot ka thënë se sa më shumë gratë janë të përfshira në biznes, aq me fortë bëhet Kosova.
“Për ne, kjo është shumë e rëndësishme, sepse kjo kredi do të ndihmojë gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale. Mbështetja e grave, e sidomos grave sipërmarrëse, është shumë e rëndësishme. Kosova është një vend i grave të forta. I takoj çdo ditë në institucione, në politikë si në shumicë ashtu edhe në opozitë si dhe në biznes. Sa më shumë gra të ketë në këtë vend, aq më e fortë është Kosova. Nëse të gjitha gratë kanë qasje në biznes, politikë apo në jetën publike në përgjithësi, Kosova do të jetë dyfish më e fortë… Kosova është një vend me qytete të bukura, por edhe me një peizazh të jashtëzakonshëm. Ne po përpiqemi ta promovojmë këtë peizazh në mënyra të ndryshme. Kemi mbështetur një skemë nga Ministria e Bujqësisë për blerjen e lopëve. Po ashtu, po mbështesim aktivitete në fushën e biodiversitetit”, ka thënë ai.
Ndërsa Drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Financim në Kosovë (AFK), Xhevdet Spahija, ka theksuar se bashkëpunimi prej pesë milionë eurosh me Proparco do të shkojë kryesisht për kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi.
Ai ka thënë se AFK-ja, që nga viti 1999, ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.
“Ky bashkëpunim me Proparco i cili është prej 5 milionë euro do të shfrytëzohet më tepër për kreditim të femrave ndërmarrëse si dhe femrave në bujqësi. Deri më tani AFK-ja ka shpërndarë diku afër 500 milionë euro me diku 165 mijë kredi është një institucion mikrofinanciar mjaftë i suksesshëm i cili vepron nga viti 1999”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtori regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon është shprehur se partneriteti synon ta bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës.



