
Ndahet nga jeta punëtori i parë i kompanisë “Ariani Company”, Imeri: Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë i paharruar
Me një njoftim plot emocion, pronari i kompanisë “Ariani Company” SHPK, Naser Imeri, ka bërë të ditur ndarjen nga jeta të Azem Musliut – punëtori i parë dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm në historinë e kompanisë.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot u nda nga jeta Azem Musliu – punëtori i parë i kompanisë sonë Ariani Company SHPK”, ka shkruar Imeri në një postim prekës në rrjetet sociale.
Musliu ishte pjesë e kompanisë që nga hapat e parë të saj, duke kontribuar për 26 vite me radhë me përkushtim, ndershmëri dhe sjellje shembullore. Ai nuk ishte vetëm një punëtor i thjeshtë – por një mik, një njeri i urtë dhe një bashkëpunëtor i çmuar që u bë shtyllë e rëndësishme në rrugëtimin dhe zhvillimin e “Ariani Company”.
“Azemi nuk ishte vetëm një bashkëpunëtor, por një mik i vërtetë dhe një shtyllë në rrugëtimin tonë. Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë i paharruar. Do ta kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të përjetshme”, thuhet më tej në njoftim.
Në emër të gjithë stafit dhe bashkëpunëtorëve, kompania ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Musliu, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Azemin.
“Allahu të mëshiroftë Azem, e faleminderit për gjithçka!”, përmbyllet mesazhi prekës i kompanisë.