Ndalohen dy persona nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin
Dy persona janë ndaluar nga autoritetet në komunën e Fushë Kosovës, nën dyshimin se kanë dhënë marrë ryshfet në lidhje me votimin, njoftoi Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria tha se e ka sekuestruar një telefon, “i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Kushdo që premton, ofron ose jep ndonjë përfitim ose dhuratë të pamerituar ndonjë personi, me qëllim që të ndikojë atë person për të votuar, për të mos votuar, për të votuar në favor apo kundër një personi apo propozimi të caktuar ose për të hedhur një votë të pavlefshme në zgjedhje apo në referendum, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
Dhënia apo pranimi i ryshfetit në lidhje me votën në zgjedhje në Kosovë dënohet me burgim prej një deri në pesë, sipas Kodit Penal të Kosovës.



