Ndalohen në kufi me Shqipërinë babë e bir nga Kosova, nuk i deklaruan mbi 28 mijë euro

31 korrik 2023 | 13:48

Babë e bir nga Kosova, janë ndalur nga policia kufitare në Muriqan, pasi nuk i kanë deklaruar të hollat që kishin brenda veturës.

Policia shqiptare ka njoftuar se gjatë kontrollit në automjet, kanë gjetur dhe sekuestruar 28 400 euro që i posedonte shtetasi P.P.

I dyshuari është shtetas nga Kosova me banim në Gjermani.

“Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 28 400 euro, procedohet penalisht 50-vjeçari që nuk i deklaroi në hyrje të Republikës së Shqipërisë”.

“Shërbimet e policisë kufitare në pikë kalimin kufitare – Muriqan, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit kosovarë P.P. dhe B.P. (babë e bir)” është thënë në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Sipas këtij njoftimi, gjatë kontrollit në automjet dhe në çantën e dorës të shtetasit P.P., shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 28 400 euro që i posedonte shtetasi P.P., por nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

“Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar P.P., 50 vjeç, banues në Gjermani, për veprën penale ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Albion Rrahmani pritet që karrierën ta vazhdojë në Rumani.…