
Ndaluni pak, o njerëz… Herojtë tanë meritojnë më shumë se përmendore të pluhurosura…
Shkruan: Alban Hoxha
A e dini sa shumë heronj ka Kosova? Sa burra e gra kanë sakrifiku e dhënë jetën për lirinë që sot e gëzojmë?
Po sikur t’ua ndërtonim të gjithëve përmendore, në çdo qytet e çdo fshat, atëherë s’do të kishim vende për parqe, as hapësira ku fëmijët të luajnë, ndoshta as shtigje ku të ecim…
Njeriu më shumë se jetën për liri nuk ka çfarë të japë – prandaj të gjithë duhet të kujtohen barabartë. Natyrisht, kontributet dallojnë, por këtë duhet ta hulumtojnë historianët e shkencëtarët, jo politikanët e as qytetarët jo profesionist.
Në të gjitha shtetet ku kam jetuar e vizituar, askund s’kam parë kaq shumë përmendore të veçuara. Shumë vende bëjnë monumente të përbashkëta, ku kujtohen të gjithë heronjtë e një qyteti – me emër e mbiemër dhe një mbishkrim të përbashkët në nderim të tyre. Ata, në fund të fundit, nuk ranë për t’u bërë të famshëm, por për ta çliruar atdheun e tyre, për familjet dhe popullin, veçanërisht për të ardhmen – për fëmijët. Fatkeqësisht, këtyre fëmijëve sot shpesh s’po u lëmë as parqe ku të lozin. Prandaj, ndërtimi i shumë përmendoreve, më shumë duket si vetë-promovim i dikujt, sesa kujtim i sinqertë për ta.
Në vend të kësaj, organiqoni turne sportivë e evente kulturore, botoni libra në kujtim të tyre, ndërtoni parqe, vendosni ulëse, tavolina ku qytetarët mund të pushojnë, apo edhe fusha sporti e tavolina shahut e pingpongut prej betoni, ku fëmijët të mund të luajnë. Dhe pse jo – t’i emërtoni ato në kujtim të heronjve.
Shpesh më thonë: “Duhet të ndërtojmë një përmendore për babain tënd.”
Sidomos bashkëluftëtarët e tij. Por unë gjithmonë u tregoj idenë time: më mirë të ndërtohet një tavolinë pingpongu prej betoni, ku fëmijët e të rinjtë të luajnë dhe të kujtohet ashtu, siç do të kishte dashur edhe ai vetë – si profesor, trajner dhe luftëtar i orëve të para, që nga viti 1991 – sesa një përmendore e pluhurosur, pa shpirt.
Dhe para se të më akuzoni për “idenë e keqe”, ju patriotë të folklorit, çiftelive e brohoritjeve, nuk besoj se keni të drejtë të mbizotëroni mendimin tuaj mbi mendimin tim. Sepse edhe unë i përkas vlerave të luftës – si djalë i një heroi dhe vëlla i një infermiereje/ushtareje të UÇK-së, që shëroi plagët e luftës në Zonën Operative të Nerodimës.
(Shkrimi është opinion i imi personal)!