Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, reagon ambasada gjermane
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar ndaj ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Reagimi i kësaj ambasade ka pasuar thirrjet e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës që në zgjedhjet e qershorit të votojnë Listën Serbe, parti kjo që ka mbështetjen e Serbisë.
Ambasada gjermane ka thënë se është thelbësore që të mos ndërhyhet në vullnetin e qytetarëve.
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 7 qershor janë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre duke përdorur të drejtën e tyre për të votuar në një mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme. Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit(qytetarë)”, ka thënë Payam Ghalehdar, zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për “RTV21”.
Përveç thirrjeve për votim të Listës Serbe së fundmi një numër zyrtarësh serbë janë shkarkuar nga puna në institucionet ku udhëheq Lista Serbe.



