Nderohet në përvjetorin e rënies ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Allaman Dervishi
Me rastin e përvjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë së Shtetit, Allaman Dervishi, familjarë, kolegë dhe miq zhvilluan homazhe pranë monumentit të tij në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë.
Në kujtim të dëshmorit të atdheut, të pranishmit vendosën buqeta me lule dhe nderuan jetën, sakrificën dhe kontributin e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë.
Vëllai i tij, Bilbil Dervishi, përmes një mesazhi përkujtimor u shpreh:
“Bashkë me familjarë, kolegë e miq, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, tek monumenti i vëllait tim, dëshmorit të atdheut Allaman Dervishi, ish-punonjës i Policisë së Shtetit, me rastin e përvjetorit të rënies në krye të detyrës, bëmë homazhe dhe vendosëm një buqetë me lule në nderim të jetës dhe veprës së tij.
I përjetshëm kujtimi i tij dhe i gjithë dëshmorëve të atdheut! Lavdi dëshmorëve!”
Allaman Dervishi kujtohet me respekt nga kolegët, familjarët dhe qytetarët si një efektiv i përkushtuar, i cili humbi jetën në krye të detyrës në shërbim të vendit.




