Ndërroi jetë gjyqtari i futbollit, Feriz Parllaku

25 gusht 2025 | 12:43

Sot ka ndërruar jetë gjyqtari i futbollit, Feriz Parllaku, i cili i përkiste gjeneratës së punëtorëve të palodhshëm të periudhës së rezistencës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Me ndarjen nga jeta të Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbeten përgjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Ademi. 

Postimi i plotë i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi:  

E nderuara Familje Parllaku,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Feriz Parllaku, andaj në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Ferizi i përkiste gjeneratës së punëtorëve të palodhshëm të periudhës së rezistencës. Ai ishte gjyqtar i guximshëm dhe i veçantë. Përveç ndarjes së drejtësisë në futboll, me të njëjtin zell kontribuoi edhe në hendboll, në vitet më të rënda por edhe më krenare, kur sporti ishte formë e rezistencës sonë kundër pushtuesit serb.

Pavarësisht kërcënimeve e rrezikut të përditshëm, ai nuk u ndal kurrë. Profesionalizmi dhe trimëria e tij në periudhën e okupimit mbeten dëshmi e karakterit të fortë dhe dashurisë së tij për sportin.

Me ndarjen nga jeta të Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbeten përgjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ferizi ishte mik i jashtëzakonshëm dhe gëzonte respekt të madh nga i gjithë komuniteti sportiv, derisa në vitet e fundit kontribuoi në FFK si vëzhgues i gjyqtarëve, ku po ashtu u shqua për profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Në këto momente të dhimbshme, jemi pranë jush dhe ndajmë me ju pikëllimin për humbjen e një njeriu me vlera të larta profesionale e kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdi jetës e veprës së tij!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rikthim sensacional në Premier Ligë është i mundur për…