
Ndërroi jetë Ryvije Elshani, të cilën e njohu bota për vajtimin e të vëllait
Ka ndërruar jetë Ryvije Elshani – Dina, gruaja, fotografia e së cilës para 30 vjetësh pushtoi botën me dhimbjen e saj. Ajo shfaqej pranë kufomës së heroit Nesimi Elshani, vëllait të saj të vrarë nga forcat serbe si pasojë e pjesëmarrjes në protestë më 1990, ku kërkonin të drejtat themelore.
Hasan Dina, i biri i së ndjerës, thotë se, pavarësisht pikëllimit që ua solli kjo ngjarje, janë krenarë me nënën e tyre. “Jemi shumë të pikëlluar nga kjo ngjarje që na ka ndodhur si familje, por jemi shumë krenarë që patëm një nënë të fortë e të dinjitetshme, e cila diti të na edukoi e mësoi për të jetuar dhe qëndruar siç duhet. Nëna jonë ka qenë motër e dëshmorit, sot heroit Nesimi Elshani, që u vra më 27 janar të vitit 1990 në demonstratat e asaj kohe në fshatin Brestovc në Rahovec”, ka treguar Dina.
Ai thotë se krimi që shkaktuan forcat serbe ndikoi përgjithmonë në shëndetin e nënës së tyre. “Nënës sonë që nga ajo ditë, për shkak të vrasjes së vëllait, ka shkuar gjithmonë duke iu keqësuar gjendja shëndetësore. Deri sot kur ndërroi jetë nëna jonë, dua të them se ka qenë një nënë që ka ditë të mbahet si për vdekjen e vëllait, si për të gjitha ato që ka përjetuar si motër, si nënë si bijë si në të gjitha aspektet”, ka thënë Dina.
Kjo fotografi pushtoi botën me dhembshurinë e saj, ku dhe u shndërrua në skulpturë në Francë. Megjithatë, i biri i Ryvijes rrëfen se si kishte ndodhur ngjarja ku në ato çaste do të shkrepej edhe fotografia, njofton Klan Kosova. “Në ditën kritike kur është vrarë daja, kjo fotografi është shkrepur në dhomën ku ka qenë kufoma e dajës. Nuk kemi menduar ë do të shkrepet një fotografi e do të bëhet ajo jehonë që e ka tash. Meqenëse fotografi tragjike, ne na ka nderu me përhapjen e gjendjes së popullit të Kosovës që ka qenë në atë kohë, që jemi vrarë pa asnjë pretekst kur jemi ngrehur në protesta për t’i kërkuar të drejtat elementare. Sa i përket skulpturës, e kam parë në mjetet e informimit, kam dëshirë të shkojë ta vizitojë atë skulpturë me gjithë ndjenjat që kam për dajën tonë dëshmor, hero i kombit shqiptar, por varet nga kushtet dhe situatën në të cilën gjendemi sot”, ka thënë Dina.