Ndërron jetë Clark Olofsson, krimineli që frymëzoi “sindromën e Stokholmit”

27 qershor 2025 | 13:36

Clark Olofsson, krimineli që frymëzoi termin “sindroma e Stokholmit”, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, njoftoi familja e tij.

Olofsson u bë i famshëm në vitin 1973, kur u përfshi në një pengmarrje dhe grabitje banke në Stokholm që zgjati gjashtë ditë. Gjatë rrethimit, pengjet filluan të ndjenin simpati dhe besim ndaj rrëmbyesve të tyre – sjellje që më vonë do të përshkruhej si “sindroma e Stokholmit”, një term që u krijua nga psikiatri suedez Nils Bejerot.

Pengmarrjen e nisi Jan-Erik Olsson, i cili kërkoi që Olofsson, një mik i tij nga burgu, të silllej në bankë për t’i ndihmuar. Autoritetet pranuan dhe Olofsson hyri në bankë si ndërmjetës. Ai fitoi besimin e pengjeve, sidomos të Kristin Enmark, e cila madje kërkoi të largohej nga banka së bashku me rrëmbyesit dhe refuzoi të dëshmonte kundër tyre pas lirimit.

Ngjarja u bë simbol i një fenomeni psikologjik ku viktimat krijojnë lidhje emocionale me rrëmbyesit, edhe pse më vonë vetë Enmark e hodhi poshtë këtë teori, duke e quajtur një mënyrë për të fajësuar viktimat.

Clark Olofsson kaloi pjesën më të madhe të jetës në burgje për vepra të ndryshme penale dhe u lirua për herë të fundit në vitin 2018. Në vitin 2022, historia e tij u dramatizua në serialin e Netflix-it Clark, ku ai u portretizua nga aktori Bill Skarsgård

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit e ka fituar ndeshjen miqësore ndaj skuadrës…