
Ndërron jetë Hajrije Shala, motra e Heroit të Kombit Hysen Shala nga Leçina e Drenicës
Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Hajrije Mehmet Shala, motra e heroit të kombit, Hysen Shala, nga Leçina e Drenicës. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Xhevdet Smakiqi.
Njoftimi i plotë i Smakiqit:
Drenicakja e çelikut!
Sot mbylli sytë përjetësisht tezja ime, Hajrije Mehmet Shala, nga Leçina e Drenicës.
Tezja ime shpirtbardhë u shua qetësisht, e rrethuar nga nipa e mbesa, vajza e djem, nuse e dashamirë – ashtu siç deshi Zoti.
Kjo drenicake e çelikut përjetoi dhimbjen e vëllait të saj, heroit të Kosovës, që kombi e kujton në këngët heroike – Hysen Shalën – për historinë e tij kur u vetëmbrojt me sëpatë në malet e Stojevcit, në Beliçë, nga serbët e dehur e tërbuar.
Në vitin 1998, djali i saj, Naser Smakiqi, ishte ndër çlirimtarët e parë, i rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri të rrallë – sot veteran i UÇK-së. Në vitin 1999, ajo përjetoi edhe humbjen e djalit të saj, Gencit, student i dalluar në Fakultetin Juridik.
Jetoi me krenari e zemërbardhësi, ku buzëqeshja e saj e sinqertë rrëzonte malet e pikëllimit të jetës. Sa herë që e takoja, me zë të lartë më thoshte: “Djali jem, zemra tu gëzoftë!”
Takimi im i fundit me tezen ishte në prill 2024. Do të jetoj me shtrëngimin e dorës dhe buzëqeshjen e saj të fortë e të përhershme. Faleminderit, tezja jeme, për dashurinë dhe forcën që na dhurove sa jetove.
Ngushëllime tezakëve të mi. Zoti e pastë pranuar në xhenetin e tij tezen time të çelikut, Hajrije Mehmet Shala, nga Leçina.