Ndërron jetë ish-kryetari i KB Drita, Fazli Fazliu
Basketbolli kosovar sot ka marrë lajmin e kobshëm. Pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë Fazli Destan Fazliu, një nga punëtorët më të përkushtuar të basketbollit në Kosovë.
I ndjeri për shumë vite ishte në krye të KB Drita, në periudhën më të suksesshme të klubit. Ai ka ushtruar detyrën e drejtorit dhe të kryetarit të klubit në periudha të ndryshme, duke dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e basketbollit gjilanas dhe atij kosovar në përgjithësi.
Fazli Fazliu ishte gjithashtu anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku kontribuoi me përvojën dhe përkushtimin e tij.
Fazli Destan Fazliu lindi më 1 nëntor 1964 dhe ndërroi jetë më 1 shkurt 2026.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, me namazin e Ikindisë, në varrezat e fshatit Përlepnicë.
Ngushëllime familjes Fazliu, miqve dhe gjithë komunitetit të basketbollit.



