Ndërron jetë në moshën 77-vjeçare mësuesi Osman Jakupi nga fshati Baks
Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare mësuesi Osman Jakupi nga fshati Baks i komunës së Skenderajt.
Varrimi i Jakupit bëhet nesër (e shtunë) në orën 14:00 në vendin e tij të lindjes.
Mësuesi Osman Jakupi, një jetë të tërë ia ka kushtuar arsimit dhe edukimit të brezave. Për katër dekada me radhë, ai ka shërbyer me përkushtim, zell dhe përgjegjësi në edukimin e nxënësve, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në komunitet.
Gjatë luftës së fundit, mësuesi Osman Jakupi ishte arrestuar dhe burgosur politikisht nga forcat okupatore serbe.
Pasi serbët ia kishin vrarë vëllain e tij, Haxhiun, si dhe dy djemtë e vëllait, Fazliun dhe Muhametin, i cili ishte ende fëmijë, ata e arrestuan dhe e torturuan rëndë, duke i shkaktuar plagë fizike dhe shpirtërore.
Gjatë burgosjes, mësuesi Osman ishte i brengosur për fatin e dy djemve të tij, siç i quante me përkëdheli Meni dhe Gazi si dhe për djemtë e vëllait, Avnin dhe Bajramin. Ai nuk kishte asnjë informacion nëse kishin shpëtuar nga sulmi barbar i forcave serbe. Dhimbjen, mallin dhe shqetësimin i shprehte përmes letrave që i dërgonte nga burgu përmes Kryqit të Kuq.
Edhe pas luftës, mësuesi Osman Jakupi, ka vazhduar punën e tij fisnike në edukimin e brezave. Pas pensionimit, ai ishte përballur me sëmundje të rënda, të cilat i ishin shfaqur si pasojë e torturave dhe vuajtjeve që kishte përjetuar gjatë kohës së luftës.



