“Ndërtimtaria është infuzioni i ekonomisë”, Faton Hoxha tregon pse kërkesa për blerje banesash nuk po bie në Kosovë

19 dhjetor 2025 | 16:15

Sektori i ndërtimtarisë vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, ku rreth 12 për qind e të punësuarve janë në këtë sektor.

Kështu tha në “Përballje Podcast” në Telegraf, Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, duke folur për rolin e ndërtimtarisë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe trendet e vazhdueshme të ndërtimit.

Ai tha se ndërtimi nuk pritet të ndalet për aq kohë sa ekziston kërkesë reale për banesa. “Ndërtimi ka qenë dhe mbetet infuzioni i ekonomisë sonë. Ende është diku te një e gjashta e GDP-së së Kosovës dhe rreth 12 për qind e të punësuarve janë në këtë sektor”, tha Hoxha.

Ai theksoi se zhvillimi i ndërtimtarisë pas luftës ka qenë i domosdoshëm për shkak të rritjes së popullsisë dhe mungesës së infrastrukturës bazë, duke përfshirë jo vetëm objektet banesore, por edhe rrugët, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën publike në përgjithësi.

Sipas Hoxhës, ndërtimi sot nuk është i përqendruar vetëm në Prishtinë, por është shtrirë në të gjitha regjionet e Kosovës. “Në secilin prej regjioneve të Kosovës ka boom ndërtimi – Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj”, u shpreh ai.

Duke komentuar debatet për një ndalim apo ngadalësim të ndërtimit për shkak të numrit të lartë të banesave të pabanueshme, Hoxha tha se këto interpretime nuk pasqyrojnë realitetin e tregut. “Në momentin që nuk ka shitje, nuk ka as ndërtim. Përderisa ka blerës dhe kërkesë reale, ndërtimi nuk do të ndalet”, theksoi ai.

Ai shtoi se dhënia e lejeve të reja ndërtimore dhe vazhdimi i projekteve të mëdha tregojnë se kërkesa për banesa vazhdon edhe përtej qendrës së kryeqytetit.

Në përmbyllje, Hoxha vlerësoi se ndërtimtaria do të vazhdojë të mbetet faktor kyç i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pavarësisht sfidave me planifikimin urban, infrastrukturën dhe kostot e ndërtimit.

Në këtë podcast ai ka folur edhe për legalizimet, cilësinë e ndërtimit të banesave dhe tema të tjera.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendërmbrojtësi Dan Ballard ka thënë se transferimi i Granit Xhakës…